“Qeveria Rama ka vjedhur edhe në kohë pandemie”, Vokshi: Shëndetësia sot në situatën më të zezë, mjekët u lanë në mëshirë të fatit

– 04.03.21

Koordinatorja e PD, Albana Vokshi, e ftuar në emisionin “Front line” nga gazetarja Marsela Karapanço, deklaroi se keq-manaxhimi i pandemisë në Shqipëri, ka bërë që vendi ynë të jetë ndër vendet e fundit për vaksinimin.

Vokshi theksoi se qeveria ka lënë mjekët në mëshirë të fatit.

“Nëse është ditë apo natë, mjafton të shikojmë shifrat e pandemisë. Pandemia ishte testi i vërtetë i shëndetësisë. Keq-menaxhimi i pandemisë ka bërë që Shqipëria të jetë ndër vendet e fundit në botë për vaksinimin. Mjafton të shohim sa është pozitiviteti, që ka qenë deri 30 përqind kohët e fundit. Qeveria Rama mashtron.

Tetë vjet shqiptarët janë lodhur me mashtrimet e kryeministrit. Ne kemi nivele shumë të larta të pozitivitetit. Qeveria Rama ka vjedhur edhe në kohë pandemie, siç nuk ka ndodhur kudo në botë. E dini se 34 mjekë kanë humbur jetën nga Covidi, kjo do të thotë se qeveria i la në mëshirë të fatit. Jemi mësuar me mashtrime, Ramës nuk i beson më kush”, u shpreh Vokshi.

Albana Vokshi nënvizoi se sot shëndetësia është në situatën më të zezë.

“Sot shëndetësia është në pikën më të zezë, janë shkatërruar të gjitha shtyllat e sektorit shëndetësisë, sepse ai ka menduar vetëm për oligarkët e tij. Për çfarë është shëndetësia, që t’i shkojnë paratë Vil Manushit. Nuk ka sot shëndetësi falas, paratë dalin nga xhepat e pacientëve. Shteti është sot inekzistent, shteti vetëm vjedh. Shëndetësia ka bërë hapa pas, sepse 400 milionë euro iu janë dhënë katër koncesionarëve. Ka pasur skenarë të prishur, që analizat merreshin nga njëri vend në tjetrin”, tha Vokshi.

Gazeta Shqiptare