Pabarazia dhe Covid po varfëron qytetet e mëdha, si po “shkërmoqet” Shkodra

28 SHKURT 2021

Nga; BLERINA HOXHA

Qytetet e mëdha të vendit, Shkodra, Fieri, Elbasani dhe Vlora, në presionin e emigracionit të lartë, pandemisë dhe së fundmi përmbytjeve, po humbasin konkurrueshmërinë dhe po thellojnë pabarazinë me kryeqytetin, i cili ka nivelin më të lartë të jetesës në vend.

Qarku i Shkodrës, i cili zotëron burime të shumta natyrore dhe kulturore, ka performancën më negative nga 12 qarqet, në treguesit e papunësisë, klimës së biznesit dhe emigracionit të lartë. Në 10 vitet e fundit, pabarazia ndërmjet qarqeve dhe rajoneve është thelluar. Veriut i duhen 15 vjet për të arritur nivelin që ka rajoni i qendrës sot. Ekspertët këshillojnë krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar për të rinjtë

Tkurrja me shpejtësi e popullsisë, pamundësia për të rritur produktivitetin, zgjerimi i zotërimeve të krimit, të kombinuara me efektet negative të pandemisë Covid-19, po i varfëron disa qytete të mëdha, të cilat deri tani kanë qenë në krye të prosperitetit ekonomik dhe social të vendit.

Qytetet turistike si Shkodra, Vlora, Lezha, për shkak të varësisë nga të ardhurat e vizitorëve dhe në përgjithësi, rajoni i Veriut, prej prapambetjes ekonomike, kanë pësuar goditjen më të fortë nga pandemia. Prefektura e Shkodrës, kryeqendra e Veriut ka ecurinë më negative.

Në tremujorin e tretë 2020, Shkodra shënoi rritjen më të madhe vjetore të papunësisë me 6.6 pikë përqindje dhe gjithashtu ishte e treta në 12 prefekturat për mbylljen e bizneseve më 2020. Nga censi i vitit 2011, deri në mes të vitit 2019, popullsia e Qarkut të Shkodrës u tkurr me 16.7% nga emigracioni, duke e renditur atë të parën për nga numri i madh i qytetarëve të larguar jashtë vendit. Përmbytjet e fundit dhe ekspozimi më i lartë ndaj fatkeqësive natyrore e kanë dëmtuar edhe më shumë qytetin.

Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, tha se përkeqësimi i treguesve ekonomikë dhe demografikë në Shkodër po vjen prej aktivitetit të lartë të krimit të organizuar. Shumë biznese në qytet janë të detyruara të paguajnë gjoba të majme kundrejt organizatave kriminale, krahas taksave për qeverinë. Kjo situatë, sipas saj, ka rënduar jetesën normale në një qytet që trashëgon histori dhe kulturë, ndaj shumë qytetarë zgjedhin të largohen.

Marre me shkurtime nga revista Monitor.