Që nga muaj maji i këtij viti 20 deputetë kanë hequr dorë në mënyrë të befasishme nga përfitimi i rimbursimit të qirasë. Deputetët kishin paraqitur kontrata sikur jetonin me qira në Tiranë pasi morën mandatin. Disa prej tyre kanë banuar në kryeqytet para se të bëheshin pjesë e Kuvendit. Kishin në pronësi disa pasuri të paluajtshme

Nga: Adriatik Doci
6 Korrik, 2021

Ndodh edhe kështu. 20 deputetë kanë hequr dorë në mënyrë të befasishme nga pagesa mujore që merrnin nga Kuvendi i Shqipërisë, për të përballuar, sipas tyre, qiranë e banesës në Tiranë. Deri në mars 2021, 23 ligjvënës kanë marrë çdo muaj rreth 8 mijë USD nga Kuvendi, 35 mijë lekë secili, pasi kishin paraqitur nga një kontratë në Kuvend, duke deklaruar se jetonin me qira në Tiranë, duke përfituar kështu kompensimin e shpenzimeve të qirasë, në përputhje me ligjin.

“Shqiptarja.com” siguroi të gjitha kontratat e qirasë të paraqitura nga deputetë, por në këto dokumente reflektohej vetëm emri i deputetëve përfitues, pasi të çdo e dhënë tjetër ishte fshirë me pretendimin e mbrojtjes të të dhënave personale, duke bërë të pamundur identifikimin e banesës dhe qiradhënësit.

Kontratat dyshohen si fiktive nisur nga fakti se disa nga deputetët përftues, bazuar në deklaratat vjetore të pasurisë, kishin në pronësi dy deri në tre banesa, madje edhe në kryeqytet, biznese, magazina, makina luksoze si dhe të ardhura të majme mujore. Nga ana tjetër, tre nga deputetët përfitues, Kostaq Papa, Fatjona Dhimitri dhe Ervis Meço, të ardhur në Kuvend nga listat e PD, kanë deklaruar se kanë jetuar në Tiranë, para se të merrnin mandatin e deputetit, që do të thotë se banimi i pretenduar me qira në Tiranë nuk është diktuar nga mandati i përfaqësimit në Parlament.

Ndërkaq, nga dokumentacioni për përfitimin financiar të deputetëve, në muajt prill 2021, rezulton se asnjë nga 23 deputetët nuk e ka përfituar më pagesën prej 35 mijë lekësh për përballimin e qirasë. Gjatë muajit prill 2021, vetëm një deputetët ka përfituar rimbursimin e qerasë, konkretisht Ilirjan Pendavinji. Ndërkaq, gjatë muajit maj 2021, nga 23 ligjvënësit e tërhequr nga rimbursimi i qirasë në prill, katër ligjvënës kanë përfituar rimbursimin e qerasë. Ata janë Enada Kapllani, Edmond Leka, Edlira Bode dhe Selami Jenishehri.

Janë tërhequr nga rimburismi i qirasë deputetët: Adelina Rista, Antoneta Dhima, Xhevit Bushaj Fadil Nasufi, Fatmir Velaj, Luan Harusha, Vilma Bello, Dritan Bici, Senida Mesi, Ediola Braha, Arlind Çacani, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Fatjona Dhimitri, Eugen Bojaxhiu, Kostaq Papa, Ardit Konomi, Ervis Meço dhe Artemis Malo. Gjatë vitit 2020, ka përfituar para si qiraxhi edhe deputeti Nimet Musaj, i cili është tërhequr gjithashtu, duke e çuar numrin në 20.

Vendimi nr. 114/2014 për mënyrën e trajtimit të deputetëve parashikon që Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin në masën 35 000 lekë në muaj të deputetëve, të cilët nuk banojnë në rrethin e Tiranës. Këtë pikë të vendimit e kanë shfrytëzuar 24 deputetë, shumica e të cilëve dyshohet në mënyrë abuzive. Dyshimet thellohen në kushtet kur 20 prej deputetëve përfitues kanë hequr dorë nga ky privilegj në mënyrë të befasishme, në pikërisht në një kohë kur SPAK ka nisur të godasë abuzuesit me paratë publike në nivele të larta.

Gazeta Shqiptarja.com