Protestë e pazakontë në Francë, fermerët ‘spërkasin’ zyrat e qeverisë me bajga

fermerët ‘spërkasin’ zyrat e qeverisë franceze me bajga
15 Dhjetor 2025
Fermerët francezë kanë përshkallëzuar protestat e tyre, duke ‘spërkatur’ me bajga godinat shtetërore dhe duke bllokuar akse të rëndësishme rrugore, në shenjë revolte ndaj politikave të qeverisë dhe Bashkimit Europian.
Sipas raportimeve, fermerët shprehen të revoltuar veçanërisht nga marrëveshja tregtare e BE-së me vendet e Mercosur-it, e cila, sipas tyre, lejon futjen në tregun europian të sasive të mëdha të mishit më të lirë nga Amerika e Jugut. Ata pretendojnë se kjo i vendos prodhuesit vendas në disavantazh, në një kohë kur përballen me rregulla të rrepta mjedisore, kosto të larta dhe detyrime për uljen e numrit të bagëtive.
Protestat janë intensifikuar edhe për shkak të politikës së qeverisë franceze për asgjësimin masiv të gjedhëve, me qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjes së njohur si dermatiti nodular (lumpy skin disease). Fermerë nga jugu dhe jugperëndimi i Francës kanë reaguar ashpër ndaj përdorimit të forcës policore dhe therjes së tufave të tëra, edhe kur konstatohet vetëm një rast i sëmundjes.
Në një fshat pranë kufirit me Spanjën, autoritetet veterinare kanë therur mbi 200 lopë, çka ka nxitur bllokime rrugësh dhe përplasje me policinë. Sipas dëshmive, forcat e rendit kanë përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë fermerët që tentonin të pengonin ndërhyrjen.
“Bllokadat po vazhdojnë dhe po përhapen,” është shprehur për mediat Bertrand Venteau, drejtues i sindikatës Coordination Rurale, e cila, ndryshe nga sindikata kryesore FNSEA, kundërshton strategjinë aktuale të qeverisë dhe kërkon vaksinim masiv në vend të asgjësimit të bagëtive. Fermerët pretendojnë se politikat aktuale po u shkatërrojnë punën e një jete.
Në disa zona, protestuesit kanë bllokuar autostrada me traktorë, kanë vendosur pemë Krishtlindjesh në rrugë dhe kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty derisa qeveria të tërhiqet nga politikat aktuale. Në qytetin Millau, fermerët kanë spërkatur me pleh të lëngshëm fasadën e një godine shtetërore, ndërsa kanë hedhur edhe kashtë, goma dhe mbetje të tjera.

fermerët ‘spërkasin’ zyrat e qeverisë franceze me bajga
Autoritetet franceze kanë deklaruar se strategjia e ndjekur është “protokolli më efektiv shëndetësor”, duke theksuar se sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por mund të jetë fatale për bagëtinë. Sipas qeverisë, rreth 3 mijë kafshë janë asgjësuar deri më tani, një shifër që përfaqëson një përqindje shumë të vogël të totalit të bagëtive në Francë.
Ndërkohë, ministrja e Bujqësisë ka njoftuar nisjen e një fushate vaksinimi për rreth një milion krerë bagëti në rajonet më të prekura, ndërsa autoritetet lokale kanë bërë thirrje për dialog urgjent, duke paralajmëruar se zemërimi dhe tensionet në zonat rurale janë në rritje.
