Eno Bozdo

21 Maji 2026

Një fond prej 100 milionë eurosh, i parashikuar si hua për projekte infrastrukturore në veri të vendit, ka ndezur një debat të ashpër gjatë komisionit parlamentar. Përplasja ka ndodhur mes përfaqësuesit të opozitës dhe Ministrit të Infrastrukturës Enea Karakaçi,, lidhur me mungesën e transparencës mbi destinacionin e këtij fondi kolosal.

Deputeti i opozitës Eno Bozdo ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar si një situatë qesharake faktin që Kuvendit i kërkohet të miratojë një hua prej 100 milionë eurosh pa pasur asnjë projekt konkret të specifikuar. Gjatë fjalës së tij në kuvend, ai vuri në dukje se vetë relacioni i projektligjit pranon se projektet do të identifikohen në një fazë të dytë. Përfaqësuesi i opozitës kërkoi nga ministri të paktën një projekt konkret, duke e ironizuar që të mos kërkonte përgjigje në celularin e tij.

Eno Bozdo: Zoti ministër, në përgjigjen e munguar ndaj deputetes së Shkodrës, zonja Bardeli, ju cilësuat faktin që këto 100 milionë euro do përdoren për projekte jo vetëm të Shkodrës mos gaboj, por edhe të qarkut Dibër, edhe të qarkut Kukës. Në mos gaboj, do ketë implikime. Megjithatë, a ka mundësi ju lutem të më përmendni nga një projekt konkret për secilin nga qarqet që preket? Vetëm mos i hidhni sytë nga celulari dhe mos pyesni të tjerë. Jeni ministri i infrastrukturës, duhet t’i dini fare mirë se ku përdoren 100 milionë euro. Dhe zoti kryetar, edhe diçka për procedurë.

Ju lutem a mund të kontrolloni, kur ka ndodhur ndonjëherë që parlamentit t’i propozohet marrja e një huaje pa u specifikuar në cilat projekte do përdoret kjo? Unë për veten time nuk kam jetë të pasur parlamentare, por praktikën parlamentare mendoj se e njoh deri diku. Ju lutem, a mund të konfirmoni si ka mundësi t’i kërkohet nga qeveria Kuvendit të miratojë në total 100 milionë euro hua pa specifikuar qoftë edhe një projekt të vetëm? Jo vetëm që nuk e specifikon, por kanë pasur, për fat të mirë, ndershmërinë që të thonë, siç specifikohet në faqen e katërt të relacionit të projektligjit, që këto projekte ku do shpenzohen 100 milionë euro do identifikohen në një fazë të dytë. Ju lutem zoti kryetar, situata është absolutisht, më falni që po e them, qesharake.

Këtu duhet të vinim të paktën me blloqe projektesh. Po nuk mundet t’i kërkohet Kuvendit 100 milionë euro, edhe pastaj, po doni mos e votoni ju sepse jeni ju kundër veriut e kundër Shkodrës’. Kjo nuk është, ky nuk është diskutim. 100 milionë euro pa thënë ku do i përdorim, më duket se edhe vetë nuk e marrim seriozisht rolin që kemi këtu si ligjvënës e miratues, përfundimtar kësaj pakete.