Propaganda po i kushton shtrenjtë Rusisë / Numri i infeksioneve të reja me Covid po rritet shpejt

18 QERSHOR 2021

Prej 10 ditësh Rusia po njeh një rritje të infeksioneve të reja që për nga intensiteti është e ngjashme me nisjen e valës së infektimeve në vjeshtën e vitit të kaluar. Ditën e enjte, autoritetet ruse raportuan 14 mijë të infektuar të rinj, nga 5 deri në 6 mijë të infektuar që raportoheshin para datës 8 qershor.

Çfarë e shkaktoi këtë rritje? BBC thotë se mund të jetë një shembull se sa kushton gjuha e pakujdesshme. Për muaj me radhë, rusëve u ishte thënë nga zyrtarët dhe media e kontrolluar nga Kremlini se sa i suksesshëm kishte qenë vendi i tyre në luftën me koronavirusin, ndërsa Perëndimi u përshkrua se po dështonte keq.

Për njerëzit në Europë, për shembull thuhej e thuhet vazhdimisht se ishin të hutuar dhe të zemëruar për shkak të izolimeve pafund. Në TV rus kishte raportime për dhunë, trazira dhe mungesa të vaksinave në Perëndim.

Kohë pas kohe, TV Rus përshkroi vaksinat perëndimore si pjesë të problemit dhe pretendoi se ato po shkaktonin më shumë vdekje. Asnjë provë nuk u ofrua për të mbështetur këto pretendime.

Ndërkohë në Rusi, TV shtetëror thoshte se gjërat po shkonin më mirë: kufizimet po hiqeshin, qendrat tregtare dhe muzetë po hapeshin përsëri, studentët po ktheheshin në universitete dhe vaksinimi po vazhdonte me shpejtësi. Vetëm pak përmendej se sa rusë ishin vaksinuar saktësisht, ose sa kishin vdekur për shkak të virusit.

Tani retorika ka ndryshuar. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të premten fajësoi “nihilizmin” e qytetarëve për një numër rekord të infeksioneve të përditshme Covid në kryeqytetin, Moskë dhe TV shtetëror është alarmuar dhe transmeton thirrje pro vaksinimit.

Por duke pasur parasysh sjelljen e kaluar nga të dy zyrtarët dhe media, mbase nuk duhet të jetë befasi nëse shumë në Rusi janë mosbesues ndaj vaksinave.

Gazeta Shqip