
Praktika antike “Zhytje në pyll”

Njeriu me natyrën ka një lidhje thelbësore. Por zhvillimi, kushtet, rrethanat dhe industrializimi e kanë larguar prej saj, e jo pa dëme. Së fundmi bota perëndimore po rikthehet, dhe një ndër termat e përdorur është Forest Bathing, ose Zhytje në Pyll.
Forest bathing, pavarësisht se po gjen përdorim dhe përhapje tani, është një praktikë mjaft antike, dhe konsiston në shëtitje të qeta në pyje, në mes të natyrës, duke marrë ajër të pastër e duke shijuar peisazhin. Ky aktivitet, shumë popullor në Japoni, ku njihet me termin Shinrin Yoku, konsiderohet art i vërtetë, pasi përfshin aktivitetin fizik të lehtë me mirëqenien dhe energjinë e gjelbërimit.
E teksa në Azi është traditë e konsoliduar, në pjesën tjetër të botës vetëm kohët e fundit ka marrë popullaritet të shpejtë si një mënyrë e shëndetshme për të luftuar stresin, lodhjen, dhe për të mbajtur formën fizike të mirë nëpërmjet kontaktit me mjedisin natyror.
Shumë studime shkencore kanë konfirmuar që të kalosh kohë në zona të gjelbra mund të reduktojë ndjeshëm nivelin e stresit e ankthit, dhe të ndikojë në përmirësimin e shëndetit në tërësi, jo vetëm atë mendor. Është vërejtur që personat që jetojnë në zona me pak hapësira të gjelbra kanë nivele më të larta të stresit dhe kortizolit në krahasim me ata që banojnë në zona të pasura me vegjetacion.
Kortizoli është një hormon që prodhohet si pasojë e stresit, dhe nivelet e tij kur janë të larta ndikojnë në probleme të ndryshme shëndetësore.
Forest bathing nuk është vetëm një shëtitje e thjeshtë, por është rilidhje me natyrën dhe rigjetje e një ekuilibri të brendshëm, pasi substancat e lëshuara dhe tingujt e natyrës sjellin një ndjesi qetësie, mirëqenie dhe energjie të jashtëzakonshme.
Në gjuhën japoneze, do të thotë të marrësh benefite nga pemët. Si terapi, merr shkas nga një degëzim i rëndësishëm i mjekësisë që vlerëson se të kalosh kohë, dhe më shumë kohë, në natyrë ka benefite të jashtëzakonshme për organizmin. Është vërtetuar me evidence shkencore se kur njeriu kalon disa orë në mjedis natyror si pyje, parqe apo vende me shumë pemë, ka rritje të funksioneve imunitare, ku përfshihen ulja e nivelit të kortizolit, reduktim i frekuencës kardiake dhe të presionit të gjakut.
Në pyje, merita e benefiteve duket se vjen nga substancat që çlirohen nga pemët në ajër për t’u mbrojtur nga insektet dhe sëmundjet apo kalbja, dhe këto ndikojnë pozitivisht te organizmi njerëzor. Quhen fitoncide këto molekula, që sjellin qetësim të dukshëm psiko-fizik dhe përmirësim te aparati i frymëmarrjes. Pra Shinrin Yoku, përveç se na afron më atë që na ka krijuar dhe rigjetjen e lidhjes me natyrën, sjell edhe të tjera avantazhe.
Gjelbërimi stimulon edhe sekretimin e endorfinës, duke përmirësuar gjendjet shpirtërore dhe duke kontrastuar dëmet e modernitetit dhe jetës frenetike. Bën mirë për lodhjen mendore, fuqizon memorjen dhe përqendrimin, ul inflamacionet që janë shkak i një sërë patologjish, edhe të rënda, dhe niveli i energjisë dhe vitalitetit rritet shumë në prani të pemëve.
Për këtë praktikë, që të jetë efikase, mjaftojnë edhe 20 minuta pranë pemëve, ndërkohë që në traditat aziatike qëndrimi mund të zgjasë edhe disa orë, për një rikthim të plotë në gjenezë, duke përfshirë nivelin fizik, mendor e shpirtëror.