“Po ndërtohet në zonë të mbrojtur”, banorët i vendosin flakën mjeteve të firmës që po ndërton HEC-in

7 janar 2020

Banorët e Zall-Hoçaj në shprehje të indinjatës së tyre për mos lejimin e HEC-it në zonën e mbrojtur ku ata jetojnë i kanë vendosur flakën mjeteve të firmës që po punon për ndërtimin e hidrocentralit.

Ky revoltim i banorëve vjen si pasojë e një shkrese të bërë publike nga ana e Ministrisë së Turizmit, ku theksohet se zona ku po ndërtohen HEC-et nuk është më një zonë e mbrojtur, por një zonë ku mund të ndërtohet.

Nëpërmjet shkresës së datës 29.12.2020 drejtuar avokates së banorëve të Zall-Gjoçaj, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pohon se përgjatë një viti AKZM së bashku më një grup ekspertësh ka realizuar një studim për sistemin e vlerësimit të zonave të mbrojtura, në bazë të të cilit zona e Melthit në Zall-Gjoçaj parashikohet të lihet jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura.

Këto gjetje sipas saj janë bërë publike nëpërmjet mbi 40 takimeve me ekspertë lokale, 4 takime me përfaqësues të universiteteve e shoqërisë civile, 3 takime rajonale e një në Tiranë. Përkundër gjithë rezistencës që banorët e zonës, aktivistë e organizata të shoqërsië civile kanë bërë duke shprehur hapur qëndrimin e tyre në mbrojtje të lumenjve dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në zona të mbrojtura Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka gjetur rrugën më e shkurtër të ‘’shpërlarjes së duarve’’.

Në vend që harku i zonave të mbrojtura të zgjerohet dhe të rishikohen projektet për ndërtimin e hidrocentraleve, në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe jotransparente ajo i hap udhë koncensionarëve e kompanive të ndërtimit në masakrën që po i bëjnë natyrës së Shqipërisë.

Kujtojmë se në mars të vitit që lamë pas banorët e Zall-Gjoçaj kanë protestuar përballë Bashkisë së Matit në lidhje me parandalimin e ndërtimit të HEC-ve në Sekë dhe Zais, gjë që tashmë u bë fakt i kryer përmes heqjes nga statusi si zonë e mbrojtur.

Gjatë protestës së atëhershme pati edhe momente të përplasjes mes banorëve dhe policisë, ku qytetarët e revoltuar tentuan të funsnin në bashki një arkivol, si simbol i vdekjes që sipas tyre sillnin HEC në zonë.

Nga: Fox Web