Plisi, qeleshja apo qylafi, ekspozita e artistit Karaj në Galerinë e Arteve i paraqit ato në të gjitha format

8 Nentor 2025
Plisi ose qeleshja është një simbol i identitetit kombëtar, të cilin shqiptarët e kanë ruajtur me krenari ndër shekuj.
Kjo kësulë e bardhë, që shpreh nderin, trimërinë dhe qëndresën e shqiptarëve, frymëzoi artistin Eduart Karaj për ekspozitën “Plisi në histori”, ku piktura dhe skulptura bashkohen në një dialog të vetëm.
Në ekspozitën e çelur në Galerinë e Artit Tiranë, qylafi paraqitet në të gjitha format e tij, duke prezantuar Shqipërinë e Veriut, Jugut dhe Shqipërinë e Mesme.
Eduart Karaj, piktor dhe skulptor shprehet i impresionuar: Më ka intriguar forma e plisit, ajo bardhësia apo fakti se duket si gjysmë vezë, që lidhet me ripërtëritjen e jetës. Qeleshja që qëndron në kokën e personazheve të Karajt, mishëron historinë e të parëve tanë dhe qyteteve që përfaqësojnë trashëgiminë tonë kulturore.
“Jam mundur që nëpërmjet plisit, të rikthej arkitekturën, që është trashëgimia jonë kulturore, sikurse është Berati, Gjirokastra apo shtëpitë karakteristike të Elbasanit, duke i sjellë si një ëndërr. Duke treguar se me plisin brenda këtyre shtëpive, kanë jetuar njerëz” shprehet Karaj.
Nëpërmjet punës me gdhendjen e drurit dhe teknikën e vajit akrilik, në një ndërthurje të guximshme të tradicionales me modernen, krijimet e artistit dalin jashtë kornizave dhe marrin dimensione mitologjike.
“Unë jam fokusuar te pjesa mitologjike, me idenë e zmadhimit, për ta fryrë, duke mitizuar portretet e këtyre pleqve, e këtyre burrave të urtë, luftëtarëve, sikurse është portreti i gjakovarit apo Kreshnikut”, sqaron artisti.
I frymëzuar nga kujtimet me gjyshërit, portretet e malësorëve me mustaqe dhe qëndrimin fisnik tw Karajt na kujtojnë vlera të shoqërisë si besa shqiptare.
“Unë e kam vlerësuar shumë fjalën e gjyshërve të mi, një fjalë që ta thoshin e mbanin. Disa prej krijimeve kanë edhe iniciale, që na kujtojnë atë shprehjen e njohur besa-besa, që e kemi harruar pak, por është mirë ta kujtojmë’, shprehet Karaj.
Ekspozita me 14 skulptura dhe 27 piktura do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit deri në 11 nëntor.
Nga: Top Channel
