28 Tetor 2025

Në një postim në Facebook, deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, reagoi ndaj ngjarjeve tragjike që shokuan vendin sot, duke akuzuar qeverinë për dështim total në mbrojtjen e sigurisë publike.

Ai theksoi se pesë vdekje në Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat e Shkodër nuk janë rastësi, por pasojë e mungesës së kontrollit, të zbatimit të ligjit dhe të injorimit të jetës së qytetarëve nga institucionet shtetërore.

Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë orëve të fundit tregojnë më qartë se kurrë krizën e thellë të sigurisë publike në Shqipëri.
Në Vlorë, një kamarier i ri humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që ecte me shpejtësi. Në Tiranë, një kuzhinier u vra nga picieri. Në Durrës, një baba nga i biri. Në Berat, një turist i huaj nga qiraxhiu i kuajve. Në Shkodër, një punonjës shteti u bë “viktimë” e tritolit.

Pesë ngjarje tragjike brenda një dite nuk janë rastësi, janë pasojë direkte e mungesës së shtetit, e mungesës së kontrollit, e mungesës së rendit dhe e dështimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë publike.

Në vend që të garantojë jetën e qytetarëve, qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë shkatërrimit të rendit, arrogancës në rrugë, lirimit të elementëve të rrezikshëm dhe mungesës totale të zbatimit të ligjit.

Kur drejtësia hesht, kur policia shndërrohet në aparat propagande, kur jeta e qytetarit humbet çdo vlerë, atëherë shteti ka dështuar në misionin e tij themelor.

Shqipëria nuk mund të prezantohet si “një nga vendet më të sigurta në Europë” ndërkohë që qytetarët e saj vriten në rrugë, në punë e në shtëpi.
Siguria publike nuk është luks, është detyrim kushtetues i shtetit. Është koha që qeveria të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin.