Elisabeta Mataj

16 Korrik 2026

Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës janë ndaluar pas kallëzimit penal të bërë nga vetë institucioni, lidhur me dyshime për shkelje detyre dhe abuzim me vlera monetare.

Të ndaluarat janë drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Pas kallëzimit penal, prokurori G. Frëngu ka nisur veprimet procedurale dhe ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për hetimin e rastit.

Tre punonjëset janë përballur me akuzat e ngritura nga Posta Shqiptare për shkelje detyre dhe parregullsi në administrimin e fondeve.

Dy ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare largoi nga detyra drejtuesen e filialit në Durrës, Elisabeta Mataj, pas një kontrolli të brendshëm ku u evidentuan probleme në administrimin financiar.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Posta Shqiptare, parregullsitë lidhen me fondet e administruara për shërbimet e pagesave dhe kanë sjellë një dëm ekonomik për institucionin.

Posta Shqiptare ka bërë me dije se fondet e prekura nga rasti nuk kanë lidhje me pensionet apo pagesat që u jepen pensionistëve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit person të përfshirë.