Përmbytet Vau i Dejës, përroi i Glinës vërshon mbi banesa, dëme të mëdha materiale

26 Tetor 2025
Qarku i Shkodrës është përfshirë mëngjesin e së dielës nga përmbytjet në disa zona të ndryshme.
Përkeqësimi i motit ka bërë që në Vaun e Dejës, përroi i Glinës të dalë nga shtrati duke përmbytur mbi 100 banesa dhe qindra hektarë tokë si dhe duke shkaktuar një dëm të madh material, shkruan A2.
Shqetësuese situata është tek banesa e fermerit Dedë Smakaj në Vaun e Dejës, ku një shtyllë e tensionit që furnizon gjithë qytetin rrezikon shembjen nga gërryerja e tokës për shkak të përroit.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli shprehet se disa herë ka kërkuar një investim për mbrojtjen nga përroi i Glinës, por asnjëherë ai projekt nuk është financuar.
Ndërkohë, në njësinë Gur i Zi ka probleme nga përroi duke krijuar vështirësi në rrugën Shkodër-Vau i Dejës, ashtu siç tek harku i Bërdicës dhe Kryebushat në aksin Shkodër-Tiranë ka patur prezencë uji.
Probleme ka edhe në bashkitë Malësi e Madhe, Pukë e Fushë Arrës me rrëshqitje gurësh e bllokim të rrugëve rurale nga inertet.
