Pecorelli nën 4 akuza, Prokuroria e Pukës firmos urdhër-arrestin për biznesmenin italian
17 Tetor 2022
Biznesmeni Italian Davide Pecorelli është shpallur në kërkim nga prokuroria e Pukës dy vite pasi sajoi vdekjen përmes djegies së automjetit dhe hapjes së një varri në këtë zonë.
Ndaj tij janë ngritur katër akuza, ndërkohë që në hetim janë edhe dy bashkëpunëtorët që e kanë ndihmuar në sajimin e ngjarjes. Ndërkohë që sajoi vdekjen në janar 2021 në Shqipëri, më 18 shtator 2021 ai u gjet i gjallë në Itali.
Prokuroria e Pukës, ka firmosur urdhër-arrestin për shtetasin italian Davide Pecorelli, i cili në 6 janar 2021 sajoi vrasjen dhe djegien e tij brenda një makine tip “Skoda”, në fshatin Gjegjajn të Pukës.
Ora Neës mëson ekskluzivisht se kërkesa për ndalimin e Pecorelit është miratuar nga gjykata me argumentin se italiani Pecorelli ka konsumuar 4 vepra penale
Për ekzekutimin e masës “arrest në burg” të vendosur në mungesë për Pecorellin, është kërkuar ndihma e autoriteteve italiane.
Prokuroria u ka dërguar një letërporsi me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e italianit, i cili në janar 2021 u raportua në Shqipëri si i vdekur, por 9 muaj më vonë, në 18 shtator 2021 u gjet i gjallë në ishullin Elba në Toskana.
Hetimet po zhvillohen për akuzën e “Shkatërimit të pronës me zjarr”, “Kallëzimit të rremë”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit Shqiptar” dhe “Ushtrimi i veprimtarisë tregtare pa licensë”.
Së bashku me italianin, të pandehur janë marrë dhe dy bashkëpuntorët e tij shqiptarë, emra e të cilëve ende nuk bëhen publike nga prokuroria.
Për dy shtetasit shqiptarë që janë vënë nën akuzë si bashkëpuntorë të Pecorelit, ende nuk është marrë një vendim arresti, por ata ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Davide Pecorelli, ishte nisur nga Italia drejt Shqipërisë, më datë 3 janar 2021 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës.
Ai ka mbërritur në Shqipëri për biznesin e produkteve kozmetike që kishte në pronësi, ku ka qëndruar një ditë në Vlorë dhe më pas është kthyer në Rinas.
Pikërisht në këtë zonë ka marrë me qira një automjet tip “Skoda”, duke udhëtuar në drejtim të Pukës.
Në këtë qytet ka qëndruar në hotel dhe teksa është larguar, makina e tij është gjendur tërësisht e djegur në datën 6 janar 2021.
Që prej kësaj date, e deri në 18 shtator 2021, për 9 muaj me radhë policia dhe prokuroritë e dy shteteve Itali dhe Shqipëri, nuk kishin asnjë gjurmë të Pecorellit.
Dyshimi paraprak i hetuesve, se Pecorelli mund të ishte vrarë, u krijua për shkak se në makinën e djegur u gjendën disa eshtra kockore, që pas kryerjes së analizave rezultuan se i përkisnin një qeni.
Nga Elton Qyno