18 Tetor 2022

Bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, i konsideroi nismat e qeverisë për amnistinë fiskale dhe “pasaportat e arta si tragjedi në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në fjalën e saj në Këshillin e Integrimit Kombëtar, deputetja e PD-së deklaroi se ato janë vijat e kuqe të vendosura nga ndërkombëtarët në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Tabaku vuri në dukje se raport-progresi duhet të jetë një manual pune për Shqipërinë, ndërsa u shpreh se është shqetësues fakti se qeveria nuk e ka treguar ende vullnetin e nevojshëm politik për reformat.

“Shqipëria kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE. Raport-progresi i KE-së duhet të jetë një dokument pune. Në këto kushte, kur Europa është shumë e hapur për të mikpritur Shqipërinë, duket shumë e pandershme që ne të mos jemi aty ku duhet. Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma. Por, tragjedia më e madhe mbetet kur në mungesë të ligjeve në fjalë, qeveria shqiptare ka paraqitur dy nisma që janë qartësisht vija e kuqe e Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Së pari, nisma e “pasaportave të arta” që në kushtet e kësaj Shqipërie dhe kësaj qeverisje, do ta kthente vendin në parajsën e parave të pista, krimit të organizuar dhe një rrezik evident për Bashkimin Europian. Sa i përket shtetësisë, “Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rrezik sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis e BE-së”, shprehet KE-ja.

“‘Pasaportat e arta’ nuk mund të jenë politika e tërheqjes së investitorëve të huaj, pasi ajo në të vërtetë është politika e korruptimit dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Së dyti, më duket shumë e pafalshme që në vitin 2022 raportet vjetore të Bashkimit Europian, të nisin edhe një herë me projektligje që duhet të ishin zhdukur nga qarkullimi. Ligji i amnistisë fiskale dhe penale nuk mund të jetë muri pengues i integrimit në BE dhe njëkohësisht trampolina e arsyeve të largimit nga vendi. Nuk mund të shpëtojmë ekonominë duke incentivuar pastrimin e parave përmes amnistisë fiskale. Nuk do të jemi parajsa e investimeve të huaja nëse incentivojmë ‘pasaportat e arta’.

Në të kundërt, do të jemi parajsa e parave të pista dhe gjithashtu streha e radhës e krimit të organizuar. Është detyra jonë, e qeverisë dhe parlamentit, që të fokusohet në krijimin e një tregu të lirë, thithjen e investitorëve të huaj që janë nga vendet partnere, për të rritur nivelin e jetesës. Raporti shprehet se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave”, shprehet Tabaku. Deputetja e PD-së ngriti edhe shqetësime të tjera, si ai i korrupsionit në nivele të larta. “Fatkeqësisht sot ky korrupsion, nuk është më korrupsion banakësh që luftohet me shërbime online, për të cilat kam dyshimet e mia për aksesueshmërinë. Por, është korrupsion politik, korrupsion me ligje, korrupsion që ka kapur nivelet më të larta të partive politike e Parlamentit. Një sëmundje që ka nevojë për ndërhyrje urgjente, krimi i organizuar”, tha Tabaku.

Amnistia fiskale, Alibeaj në Këshill: Parajsa kriminale do vijë në Shqipëri

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, kritikoi qëndrimin e mazhorancës socialiste për vendimin e pakthyeshëm të saj për finalizimin e nismës së amnistisë fiskale dhe “pasaportat e arta”. Në fjalën e tij në Këshillin e Integrimit Europian, Alibeaj tha se ekziston potenciali i sjelljes së parave të krimit në vend, tani që po afrohen edhe zgjedhjet lokale.

Sa i përket çështjes së integrimit të vendit në BE, Alibeaj u shpreh se duhet të dëgjohet edhe zëri i opozitës dhe nuk mund t’u kërkohet ndërkombëtarëve për gjërat e brendshme, ndërsa theksoi se kjo është shija e parë që ambasadorja e BE-së mori nga ky takim. Për deputetin e PD-së këto dy nismat nuk janë vetëm çështje për disa para më tepër, por ajo që duhet t’u thuhet shqiptarëve për të ndërtuar vendin e tyre. “Nuk mund ti kërkojmë europianëve të në zgjidhin problemet janë çështjet tona dhe ambasadorja tha duhet t’i zgjidhim vetë.

Opozita i ka bërë aktet e saj, fjalët e mira për vetingun, por ishte zgjatja e mandatit që u votua nga ne. Historia vijon siç e dimë të gjithë ra marrëveshja politike dhe ju ndryshuar Kushtetutën. Është thelbi i çdo përplasje në politikë. Ajo që duhet të bëjmë duke dalë nga vetja, për të gjitha shinat ku duhet të ecim, ritmi me të cilin duhet të ecim është i rëndësishëm. Nuk është e rëndësishme të marrësh pjesë, por të fitosh, e shqiptarët duhet të shkojnë një orë e më parë në Europë. Për çështje të integrimit duhet dëgjuar proporcionalisht opozita.

Kjo nuk ka ndodhur, vazhdohet me arrogancën që ligji për amnistinë do kalojë. Amnisti fiskale është shembulli i parë që i dhamë ambasadores. Nuk do të thotë thjeshtë disa para më tepër në parajsën fiskale por i gjithë potenciali kriminal që mund të importohet. U themi shqiptarëve shkelni ligjin merruni me korrupsion se në Shqipëri pranojmë të sjellin potencialin kriminal dhe meqë vijnë zgjedhjet të shkallmojmë çdo filtër për kontrollin financiar. Doli para një javë një prej të akuzuarve nga burgu, për një nga çështjet më flagrante korruptive. Ky është realiteti. Kjo është shija e parë që ambasadorja duhet të marrë”, tha ai.

Nga Kelment BAÇI

Gazeta Panorama