22 Dhjetor 2025

PD dhe mbështetësit e saj zbresin në Bulevardin qendror të kryeqytetit, në një protestë kombëtare kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit bllokoi heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, duke refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.

Balluku akuzohet për korrupsion me tenderat dhe SPAK e GJKKO kanë vendosur ndaj saj masën e sigurisë pezullim nga ushtrimi i funksioneve, por Gjykata Kushtetuese e ktheu në detyrë, të paktën deri në 22 janar kur çështja të shqyrtohet në themel.

Opozita nis kështu stinën e protestave kundër Ramës, siç është njoftuar nga kryedemokrati Sali Berisha.

Lideri i PD ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se “po nuk u largua kryeministri Edi Rama, opozita rrezikon të shkrihet”.

Protesta e kësaj të hëne 22 dhjetori nisi me rreth 30 minuta me vonesë. Kreu i PD Sali Berisha iu bashkua protestuesve në orën 18:30. Ai marshoi në këmbë nga selia blu në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

© BalkanWeb