PD protestë kombëtare para Kryeministrisë me 22 Dhjetor

13 Dhjetor 2025
Kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi sot gjatë mbledhjes së Kryesisë zhvillimin e protestës kombëtare në 22 dhjetor në Tiranë. Protesta do të mbahet në orën 17.00, para Kryeministrisë.
Kjo do të jetë protesta e parë kombëtare pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe vjen pas katër foltoreve të organizuara gjithashtu para Kryeministrisë, të cilat u kritikuan për pjesëmarrjen e ulët.
Një nga kritikët e këtyre foltoreve ishte anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji, i cili ndërkohë ka nisur takime me demokratët në terren, duke kërkuar rifreskimin e opozitës dhe konfigurimin e aksionit politik.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Sali Berisha deklaroi se protesta do të jetë e vetmja rrugë që do të ndjekë opozita, ndërsa i përcolli një mesazh në dukje edhe Salianjit kur tha se çdo alternativë tjetër shërben si zjarrfikëse e reagimit opozitar, në përballje me Qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
