16 Nentor 2022

Pas thirrjes së Qeverisë Shqiptare për të investuar në bono thesari qytetarët ndihen të frikësuar për këto letra me vlerë, duke kujtuar eksperiencën e hidhur të bonove të privatizimit.

“Letrat me vrimë, vrimë janë. Aq fuqi kanë. Ku ti gjej? Vrimë jam nga koka.”

Por eksperti i ekonomisë, Elvin Meka, sqaron se janë dy çështje krejt të ndryshme.

“Nuk duhet të ngatërrohen me konceptin e bonove të privatizimit, të cilat ishin një lloj paraje që të jepte të drejtën për të blerë një ndërmarrje ose aktive, pjesë ose aksione të një ndërmarrje ose sipërmarrje që po privatizohet. Bono e thesarit është një letër me vlerë, është një instrument.”

Meka gjithashtu kritikon këtë nismë për arsyen e vetme se qeveria para se të arrinte në këtë thirrje si kurrë më parë, duke të fillonte pikësëpari me informimin më konkret të qytetarëve.

“Thirrja duhet të shoqërohej ndoshta më përpara ose dhe më pas me arsyet pse bëhet thirrja”.

Por si do të ndihmojnë qytetarët në borxhin publik përmes bonove të thesarit?

“Qeveria sigurisht merr borxh në emër të qytetarëve. Ajo që është e pazakontë dhe ky është debat tjetër, është që teknikisht këto instrumenta që kanë risk kaq të ulët nuk duhet të paguajnë një normë kaq të lartë interesi në raport me alternativat e tjera të investimit. Konsumatorët dhe investitorët shqiptarë mund të gjejnë treg dhe alternativa të tjera që kanë risk më të lartë”.

Qytetarët aktualisht do të përfitojnë përmes interesave të larta.

Bonot e thesarit nuk janë instrumenta pagese.

“Duhet sqaruar që në vend që individi me këtë bono thesari mund të blejë diçka, që nuk mund të blejë asgjë se nuk është instrument pagese, ai shumë mirë mund ta përdorë këtë bono thesari si kolateral, peng apo garanci për të marrë një hua në bankë për shtëpi apo konsum të përditshëm. Varet nga madhësia apo sasia e investimit që ka bërë në këtë instrument.”

Përpos bonove të thesarit, qeveria ofron dhe mundësinë e obligacioneve, duke theksuar se tashmë akrtorët e tregut do të mund të investojnë në obligacione 15 vjeçare me 8.39%.

Nga OraNews