21 Mars 2026

Në një kohë kur festat fetare shërbejnë si një kujtesë e vlerave të përbashkëta, shoqëria shqiptare përballet me një paradoks: ndërsa ruan një harmoni ndërfetare shembullore, ajo sfidohet gjithnjë e më shumë nga një valë në rritje e individualizmit dhe materializmit.

Këtë dinamikë e analizoi në studion e lajmeve në “Ora News” sociologu Zyhdi Dervishi, i cili thekson se pluraliteti fetar në Shqipëri nuk është një fatkeqësi, por një “bekim nga Perëndia”.

Sipas Dervishit, Shqipëria dallohet nga shumica e vendeve të botës për numrin e lartë të festave zyrtare fetare, duke njohur festat e pesë besimeve kryesore: katolicizmit, ortodoksisë, myslimanizmit synit, bektashizmit dhe protestanizmit.

Ai këmbëngul se marrëdhënia mes këtyre komuniteteve shkon përtej tolerancës së thjeshtë, duke arritur nivelin e një “harmonie ndërfetare” të vërtetë.

Si dëshmi për këtë, sociologu përmend faktin që shqiptarët janë ndoshta i vetmi popull që frekuentojnë pa dallim institucionet fetare të besimeve të tjera.

Vende si Kisha e Laçit, Kepi i Rodonit apo Sari Salltëku në Krujë vizitohen dhe nderohen nga besimtarë të të gjitha feve. “Unë sot kam marrë më shumë urime nga të krishterët, ortodoksë, katolikë dhe protestantë, sesa nga myslimanët,” pohon ai si një shembull personal të kësaj bashkëjetese.

Megjithatë, kjo tablo harmonike sfidohet nga një fenomen modern që Dervishi e quan “procesi i atomizimit të shoqërisë”.

Ky proces përshkruan tendencën e njerëzve për t’u mbyllur në “guackën e tyre individuale”, duke u distancuar nga komshinjtë, miqtë dhe komuniteti i gjerë.

Rritja e mirëqenies materiale, ndonëse pozitive, duket se ka ushqyer një ego materialiste që po zbeh humanizmin dhe ndjenjën e kolektivitetit.

Në këtë kontekst, feja dhe shkenca nuk shihen si kundërshtare. Përkundrazi, Dervishi argumenton se ato plotësojnë njëra-tjetrën. Ndërsa shkenca ka përmirësuar në mënyrë të pakrahasueshme jetën materiale dhe jetëgjatësinë e njeriut, besimet e mëdha fetare shërbejnë si një forcë për “humanizimin e shoqërisë” dhe si një kundërpeshë ndaj egoizmit materialist.