Panairi i Librit në krizë, Ymeri: – Çmimet e librave janë të papërballueshme

11 Nentor 2025
Panairi i 28-të i Librit, që do të hapet më 12 Nëntor, shënohet nga një rënie e numrit të botimeve për shkak të krizës ekonomike dhe emigracionit.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, paralajmëron se çmimet e larta të librave dhe mosfurnizimi i bibliotekave po varfërojnë tregun e leximit, ndërsa motoja e këtij viti “Ndërgjegjja e shqiptarëve ka nevojë për librat” mbetet një thirrje për reflektim.
Në prag të hapjes së Panairit të 28-të të Librit, që do të zhvillohet nga data 12 deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve, Shoqata e Botuesve Shqiptarë zhvilloi një konferencë për shtyp, duke shpalosur problematikat dhe pritshmëritë për këtë edicion.
Panairi i këtij viti do të ketë më pak tituj të rinj në qarkullim, një pasqyrim i drejtpërdrejtë i krizës ekonomike, emigracionit dhe rritjes së kostove të botimit, faktorë që po e vështirësojnë ndjeshëm tregun e librit.

Krahas problemeve strukturore të tregut, Petrit Ymeri vuri në dukje mungesën e librarive në shumë qytete dhe faktin që bibliotekat publike nuk furnizohen, çka ndikon si te lexuesit, ashtu edhe te botuesit.
Në këtë edicion, i cili mban moton “Ndërgjegjja e shqiptarëve ka nevojë për librat”, pritet të marrin pjesë 96 deri në 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Dominon prania e botuesve shqiptarë, ndërsa botimet e Kosovës sjellin risi dhe prurje cilësore, duke konkurruar denjësisht edhe në tregun vendas.
Megjithë vështirësitë, panairi do të ofrojë një hapësirë të gjerë për lexuesit e të gjitha moshave, me takime, promovime dhe diskutime në “Sofanë e Librit”, ku do të zhvillohen aktivitete me autorë, përkthyes dhe studiues
