Pamje tronditëse nga Gjiri i Atlantikut, “Uragani i shekullit” përfshin Xhamajkën, raportohet për viktima

28 Tetor 2025
Pamje tronditëse vijnë nga Gjiri i Atlantikut dhe veçanërisht nga Xhamajka, ku ndodhet “syri” i uraganit Melissa, një stuhi shkatërrimtare që po fshin gjithçka përpara me shpejtësi rekord prej 300 km në orë.
Kjo e bën “Melissën” uraganin e dytë më të fuqishëm në historinë njerëzore, pas atij të ndodhur rreth 170 vjet më parë.
I quajtur nga ekspertët “Uragani i shekullit”, “Melissa” mbërriti pak pas orës 19:00 në kryeqytetin Kingston, duke goditur zonën me forcë ekstreme. Sipas specialistëve meteorologjikë, asnjë strukturë nuk po arrin t’i rezistojë fuqisë së saj shkatërruese.
Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që arrijnë nga 300 deri në 400 milimetra, erëra të furishme dhe përmbytje të mëdha. Autoritetet paralajmërojnë se “më e keqja ende nuk ka ardhur”, ndërsa pamjet dramatike nga terreni po qarkullojnë me shpejtësi në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare.
Në jug të ishullit po bien reshje të dendura, ndërsa të paktën 150 mijë banorë kanë marrë urdhra evakuimi. Xhamajka nuk është goditur drejtpërdrejt nga një uragan për më shumë se një dekadë, dhe asnjëherë më parë nga një stuhi e Kategorisë 5.
Një organ i OKB-së e ka përshkruar “Melissën” si “stuhinë e shekullit”, ndërsa Kryqi i Kuq Ndërkombëtar paralajmëroi se uragani, i cili tashmë ka marrë disa jetë njerëzish, mund të prekë drejtpërdrejt mbi 1.5 milionë persona.
Rrugët në qytete janë bosh. Banorët janë mbyllur në shtëpi, ndërsa shumë pak kanë pranuar të strehohen në qendrat emergjente, vetëm dy nga rreth 50 mijë vende të përgatitura janë mbushur deri tani, në kundërshtim me udhëzimet e autoriteteve.
