31 Janar 2026

Të paktën 12 palestinezë, gjysma e tyre fëmijë, kanë humbur jetën në Rripin e Gazës që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 31 janar, një ditë para se të rinisë punën pika e kalimit të Rafah-ut.

Fillimisht, një sulm ajror izraelit mbi një tendë që strehonte persona të zhvendosur në zonën al-Mawasi, në veri-perëndim të Khan Younis, vrau të paktën shtatë palestinezë, përfshirë tre fëmijë.

Më pas, shërbimet emergjente raportuan se të paktën pesë palestinezë, mes tyre sërish tre fëmijë, u vranë nga një sulm ajror izraelit mbi një ndërtesë banimi në lagjen Remal, në perëndim të qytetit.

Një tjetër sulm ajror në lagjen Daraj plagosi tetë palestinezë.

Sipas Zyrës së Mediave të Qeverisë së Gazës, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 10 tetor, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 524 palestinezë.

Hapja e pikës kufitare me Egjiptin

Banorët e Rafah raportojnë sulme ajrore edhe në zonat nën kontroll izraelit.

Izraeli planifikon të rihapë pikën e kalimit të Rafah të dielën, 1 shkurt, për herë të parë që nga maji i vitit 2024. Ky hap bëhet pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin dhe duhej të realizohej që në fazën e parë të armëpushimit, por Izraeli refuzoi…

Hyrja dhe dalja nga pika kufitare do të lejohet vetëm për “lëvizje të kufizuar të njerëzve” që kanë marrë leje sigurie nga Izraeli. Nuk do të lejohen të hyjnë ndihma humanitare apo furnizime.

“Vetëm ata që u larguan gjatë 2 viteve të fundit do të lejohen të kthehen”, shpjegoi Hani Mahmoud i Al Jazeera.

“Ata që lindën jashtë Rripit të Gazës nuk do të lejohen të kthehen”, shton ai.

Hamas reagoi ndaj njoftimit për Rafah-un, duke kërkuar nga Izraeli të lejojë lëvizjen brenda dhe jashtë Gazës “pa kufizime” dhe të respektojë të gjitha aspektet e marrëveshjes së armëpushimit.

Që nga 7 tetori 2023, lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 71 600 palestinezëve.