
Operacioni i Izraelit në Gaza në kulmin e tij, ultimatumi: Pengjet duhet të dorëzohen tani!
16 Shtator 2025
Operacioni tokësor i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës është në kulmin e tij, ndërsa forcat ajrore izraelite po bombardojnë edhe Jemenin, duke përshkallëzuar agresionin
Forcat izraelite po shkatërrojnë atë që ka mbetur në Qytetin e Gazës, ndërsa palestinezët përshkruajnë bombardimet më të rënda me të cilat janë përballur në dy vjet luftë.
Në të njëjtën kohë, forcat ajrore izraelite po bombardojnë portin e Hodeidah, të kontrolluar nga lëvizja Houthi, në Jemenin perëndimor.
Sulmet vijnë vetëm disa orë pasi ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim për evakuim nga porti, sipas mediave lokale.
Sipas gazetës Times of Israel, zëdhënësi ushtarak i rebelëve Houthi, Yahya Saree, tha se mbrojtja ajrore e grupit ishte e angazhuar me avionët izraelitë që kryenin sulmet.
Një orë e gjysmë më parë, IDF paralajmëroi se do të sulmonte portin e Hodeidah në përgjigje të sulmeve të përsëritura të raketave dhe dronëve të rebelëve Houthi kundër Izraelit.
“Gaza po digjet”
Një zyrtar i Forcave të Mbrojtjes Izraelite tha se trupat tokësore po lëviznin më thellë në qytet dhe se numri i ushtarëve do të rritej në ditët në vijim për t’u përballur me deri në 3,000 luftëtarë të Hamasit që ushtria izraelite beson se janë ende në qytet.
“Gaza po digjet”, shkroi Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, në X. “Ushtria izraelite po e godet infrastrukturën terroriste me grusht të hekurt dhe ushtarët e saj po luftojnë me trimëri për të krijuar kushtet për lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit.”
Të paktën dyzet e një persona kanë humbur jetën, kryesisht në Qytetin e Gazës, që nga fillimi i operacionit të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së martës.
Operacioni po drejtohet nga vetë kreu i forcave të armatosura izraelite, i cili raportohet se, së bashku me zyrtarë të tjerë, ka shprehur kundërshtimet e tij në lidhje me mënyrën se si lidershipi politik po e trajton Gazën dhe rrjedhën që ka marrë operacioni.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Eyal Zamir, të martën kreu një vlerësim të situatës në Rripin e Gazës, duke vizituar terrenin gjatë operacionit të Divizionit të 98-të në Qytetin e Gazës dhe duke vlerësuar situatën në terren me komandantët, njoftoi ushtria izraelite.
Izraeli lëshon ultimatum: Dorëzoni pengjet tani
Një ultimatum i ri nga Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili kërkon “dorëzimin e menjëhershëm të pengjeve, përndryshe Gaza do të rrafshohet me tokë brenda orëve të ardhshme”. Në të njëjtën kohë, ankthi mbetet për familjet e 48 pengjeve, 20 prej të cilëve, sipas të dhënave të fundit, janë ende gjallë pas dy vitesh në tunelet e Hamasit.
“Na duhen vetëm dy gjëra nga Hamasi, dhe ata nuk do t’i japin vullnetarisht: të lirojnë të gjithë pengjet dhe të çarmatosen”, tha Katz gjatë një vizite në selinë e Divizionit të 162-të, forcat e të cilit aktualisht po operojnë në Gaza, siç raportohet nga Times of Israel.
“Ne duam të marrim kontrollin e Qytetit të Gazës sepse sot është simboli kryesor i qeverisjes së Hamasit. Sot, nëse Gaza bie… edhe Hamasi do të bjerë”, tha ai.