Një vit pas ndërhyrjes, Ura e Zogut në lumin Mat sërish rrezikon shembjen

9 Nentor 2025
Ndërhyrja emergjente e realizuar në vitin 2024 në Urën e Zogut mbi lumin Mat nuk e ka shpëtuar monumentin e kultures. Prurjet e shumta të lumit Mat pas reshjeve të fundit të shiut kanë shkaktuar sërish dëmtime. Struktura dhe këmba e urës në pjesën veriore kanë lëvizur, duke rrezikuar shembjen e plotë të saj.
Specialisti i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, thotë se duhet një ndërhyrje e plotë dhe e shpejtë për mbrojtjen e këtij monumenti me vlera të jashtëzakonshme kulturore dhe historike.
Investimi emergjent i realizuar vitin e kaluar nga qeveria me vlerë 46 milion lekë të reja konsistoi në përforcimin e njërës prej këmbëve të urës, e cila u fundos në lum me rreth 2.5 metra, por kjo ndërhyrje nuk i ka dhënë zgjidhje problematikës.
Ura e Zogut, ndërtuar në vitin 1927, është një nga monumentet më të rëndësishme të infrastrukturës historike shqiptare. Ajo njihet për harqet karakteristike dhe për rolin e saj si një nga urat kryesore që lidhte dikur Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.
Në vitet e fundit, për shkak të vërshimeve të ujit dhe shfrytëzimit pa kriter të lumit Mat për inerte, ura ka pësuar dëmtime të shumta, duke vënë në rrezik ekzistencën e saj.
Gazeta Shqiptarja.com
