Netanyahu: – Nuk do të lejojmë krijimin e një shteti palestinez, Izraeli do të kontrollojë sigurinë nga Jordania në Mesdhe

Netanyahu
27 Janar 2026
Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez dhe, sigurisht, jo në Gaza, deklaroi mbrëmjen e sotme kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke theksuar se vendi i tij do të ruajë kontrollin e sigurisë në të gjithë zonën, nga lumi Jordan deri në Detin Mesdhe.
“Dëgjoj të thonë se do të miratoj krijimin e një shteti palestinez në Gaza. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke u shprehur triumfalisht se “e ka penguar vazhdimisht krijimin e një shteti palestinez”.
“Sot, por edhe nesër, nuk do ta lejojmë”, këmbënguli Netanyahu. Sipas tij, Izraeli do të ketë kontrollin e sigurisë në një territor “nga Jordani deri në (Detin) Mesdhe”, pra në territorin e vet dhe në të gjitha territoret palestineze të pushtuara.
Në Gaza, Izraeli tani po përqendrohet në dy misione kryesore: “çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin” e enklavës, pasi u gjet edhe trupi i pajetë i pengut të fundit nga ata që ishin rrëmbyer më 7 tetor 2023.
“Siç i thashë edhe presidentit” të SHBA-së, Donald Trump, nën presionin e të cilit u arrit armëpushimi në enklavë, ekziston vetëm një alternativë, ose në mënyrën e lehtë, ose në mënyrën e vështirë. Por në çdo rast, ne do t’ia dalim”, shtoi ai.
