Neser, 7 prill 2022 – Vlonjatet ne Proteste

…”𝗢 𝗙𝗹𝗮𝗺𝘂𝗿 𝗴𝗷𝗮𝗸, 𝗼 𝗳𝗹𝗮𝗺𝘂𝗿 𝘀𝗵𝗸𝗮𝗯𝗲,

𝗼 𝘃𝗲𝗻𝗱 𝗲 𝘃𝗮𝘁𝗲𝗿, 𝗲 𝗻𝗲𝗻 𝗲 𝗯𝗮𝗯𝗲…

“𝗛𝘆𝗺𝗻 𝗶 𝗙𝗹𝗮𝗺𝘂𝗿𝗶𝘁”…- 𝗙𝗮𝗻 𝗡𝗼𝗹𝗶

Në 7 prill, ora 17.00 shoqëria civile ka thirrur një protestë për mbrojtjen e Sheshit të Flamurit!

Duhet mbrojtur Sheshi i Flamurit, simboli ynë i rëndësishëm kombëtar dhe gjithçka që ka kujtesë historike për Qytetin tonë!

Sepse, nuk është prishur për hir të fasadës vetëm Sheshi  i Flamurit. Është prishur e tjetërsuar Sheshi i Kombit!

Nuk është vetëm i Vlorës ai shesh, është i gjithë kombit, edhe shqiptarëve jashtë kufijve, që çdo 28 nëntor vijnë gjithë krenari; është i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut; është edhe i arbëreshëve, edhe i arvanitasve, i diasporës, i të gjithëve është ai Shesh!

Kush ka të drejtë të vejë dorë mbi Kujtesën tonë kombëtare, kush e ka tagrin ta bëjë atë?

Asnjë sekt në qeveri, askush që ka pushtet për ca vjet, nuk mund që të vërë dorë mbi Historinë e kaluar dhe atë të ardhme, mbi ndërgjegjen shpirtërore të shqiptarëve, mbi identitetin e Vlorës dhe Shqipërisë!

Vlora nuk e harron gllabërimin e hapësirës publike, shkatërrimin e Historisë!

Vlora nuk mund dhe nuk do ta falë ndërtimin e një terminali autobusësh, apo edhe të çfarëdolloj ndërtimi “prej floriri” kur i vritet Kujtesa, Identiteti, Historia dhe Dinjiteti!

Me ato para publike që harxhohen për betonizimin e Sheshit të Flamurit, mund të rindërtohej në vendin ku ka qenë, tek lulishtja, shtëpia ku Ati i Kombit, Ismail Qemal Vlora, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Ndaj u takon qytetarëve vlonjatë në radhë të parë, që pavarësisht bindjeve politike, ta mbështesin protestën dhe reagimin qytetar, sepse kështu ruajmë vlerat e qytetit dhe Historinë!

Dhe qytetarët vlonjatë protestojnë edhe për ata qindra e mijëra motra e vëllezër, miq e shokë, të cilët, pavarësisht se janë në emigrim, e duan Vlorën, Historinë, dinjitetin dhe janë me ne shpirtërisht!

Sheshi i Flamurit dhe mbrojtja e tij nga çdo tjetërsim është detyrë kombëtare për çdo shqiptar.

Është test atdhedashurie për çdo qytetar vlonjat, është test për çdo shqiptar, është marrëdhënia jonë me rrënjët tona, me lirinë, demokracinë, dinjitetin dhe të drejtën!

Me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen!

Me Qytetin dhe Historinë që do t’u lëmë brezave trashëgim!

Ndaj të gjithë nesër, në orën 17.00 në protestë në sheshin simbol kombëtar, në Sheshin e Flamurit!

Huazuar nga FB: Bukar Leskaj.