Në vend të urimit për 1 MAJIN – DITËN E PUNËTORËVE (apo ditën e atyre që nuk kanë ku të punojnë)

1 Maji 2026
Nga: Nexhat Çoçaj
Sot është 1 Maji.
Dita ndërkombëtare e punëtorëve.
Dita kur festohet puna… në një vend ku puna është bërë luks, ndërsa papunësia normë.
Në Kosovë, kjo ditë festohet ndryshe.
Jo me parada punëtorësh, por me radhë për ta lëshuar vendin.
1 Maji festohet tene:
Jo me krenari për prodhim, por me valixhe të mbushura me zhgënjim.
Jo me kontrata pune, por me bileta njëdrejtimëshe për Perëndim.
Sepse këtu, çdo ditë që kalon, nuk ikin vetëm njerëzit, ikën besimi, ikën durimi, ikën shpresa.
Dikur thuhej se mërgimi ishte sakrificë për familjen. Mërgimtarët dikur ishin ambasadorë, sot as vet s’e dinë se çfarë janë: i shërbejnë familjes, apo politikës…
Sot është shpëtim nga realiteti.
Dikur pritej kthimi.
Sot pritet vetëm largimi.
E ndërkohë, ne vazhdojmë ta festojmë 1 Majin… si një kujtim të një jete që nuk e jetuam kurrë.
Në këtë realitet absurd, më kujtohet një mendim i gjeniut popullor:
“Kujt i ndodh një vdekje në shtëpi, do të qajë një ditë; ndërsa kujt i ndodh një i çmendur në shtëpi, do të qajë për çdo ditë.”
Kosova nuk po përballet me një fatkeqësi të vetme, por me një gjendje që përsëritet çdo ditë.
Një plagë që nuk mbyllet.
Një dhimbje që nuk kalon.
Sepse kur shpresa vdes çdo ditë,
atëherë jeta nuk është më jetë,
por një pritje e gjatë për t’u larguar.
Gëzuar 1 Maji…atyre që ende presin të jetojnë këtu në Kosovë
Dhe atyre që e kanë kuptuar se për të jetuar, duhet të ikin.
