Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar edhe artistët e Teatrit Kombëtar “D. Maria” në Lisbonë.

16 Tetor, 2019.

Kauzës së mbrojtjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar nga shembja e tij nga qeveria “Rama” vijojnë t’i bashkohen dhe artistët e huaj të teatrove më të famshëm të Europës.

Së fundmi në mbështetje të artistëve shqiptarë të cilët prej afro 2 vitesh protestojnë ditë e natë kundër projektit të shumë anatemuar që parashikon ngritjen e një godine shumëkatëshe në mes të Tiranës, është shfaqur edhe Tiago Rodrigues, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar D. Maria në Lisbonë, Portugali, i cili i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Njoftimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Kemi kënaqësinë të ndajmë sot me ju një lajm vërtet të bukur.

Tiago Rodrigues, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar D. Maria në Lisbonë/Portugali i është përgjigjur thirrjes sonë dhe na ka dërguar këtë letër mbështetëse që po e ndajmë me ju si vijon. Përtej kësaj prej tij kemi premtimin që ai do ta promovojë kauzën tonë në rrethet artistike e kudo ku do të mundet në Portugali.

Zoti Rodrigues është një artist shumë në zë i skenës teatrore europiane, aktor, dramaturg e regjisor. Në vitin 2018 ai është nderuar me Europe Prize Theatrical Realitites, një nismë e suksesshme e Komisionit Europian në fushën e arteve performuese.