3 Nentor 2022

Ngjarja e ndodhur në Pejë ka ngjallur reagime të shumta dhe zemërim te publiku, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Drejtoresha Ekzekutive “Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat, Mira Pirdeni teksa komenton rastin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në azilin ne Pejës, ku një e moshuar dhunohej nga vajzë e re, denoncoi rastet e azileve në vendin tonë. Në një intervistë për ‘Euronews Albania’, ajo tha se në azilin e Tiranës ka pasur raste, që të moshuarit janë lidhur me zinxhirë ndërsa, në Fier as bukën nuk ua japin.

“Unë jam shokuar nga sjellja e vajzave të reja. Ne e kemi parë këtë skenë në qendrat tona vazhdimisht, të lidhura dhe me zinxhirë. Kemi parë në Tiranë që janë lidhur me zinxhirë ndërsa në azilin e Fierit, kemi parë raste që as bukën nuk ua jepnin”.

“Ne kemi parë raste të tjera të tilla, por jo të gjitha këto bëhen publike. Nuk është puna vetëm te kamerat, por standardet që monitorohet një shërbim duhet të jenë të fokusuara”- tha ajo.

Reagimi i Mira Pirdeni vjen pas ngjarjes së rëndë, që ka ndodhur në qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë, ndërsa video e filmuar u përhap menjeherë në mediat sociale. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve të cilët kanë bërë të mundur dhe arrestimin e infermieres, Aurona Pelaj si edhe vajzës që e filmonte. Të dyja këto të fundit së bashku me dy të tjera janë pezulluar dhe nga puna.

Tri vajzat e azilit që keqtrajtuan të Moshuarën Aurona Pelaj, Altina Rezhepi dhe Remzie Kuqi, u panë me pranga në duar në dyert e paraburgimit të policisë së Kosovës. Ato kanë dhënë dëshminë e tyre për ngjarjen e rëndë, ndërsa prokororia deri në mbyllje të hetimit kërkoi një muaj burg. Ngjarja e rëndë u raportua ditën e djeshme, ndërsa në medie qarkulloi një video me pamje shqetësuese, ku infermierja Pelaj qëllonte të moshuarën dhe koleget e saj regjistronin skenën dhe zbaviteshin.

E moshuara e dhunuar është nëna e dëshmorit Taulant Nuraj i cili ka humbur jetën në moshën 17-vjeçare në luftën kundër Serbisë. Në pamjet e publikuara shihet se Pelaj dhunon të moshuarën me shpulla ndërsa në një moment i vendos dhe këmbën në bark.