Ndryshimet klimatike/ Shqipëria mund të humbasë 7% të PBB-së, në 1 dekadë duhen 9.8 mld $ investime! Bujqësia e turizmi, më të rrezikuarit
Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale pritet të sjellin temperatura ekstreme të larta edhe më të shpeshta në Shqipëri në 10-vjeçarin e ardhshëm, duke e shtuar rrezikun për zjarre, por nga ana tjetër edhe reshjet intensive të papritura që shtojnë përmbytjet
Në ‘Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036’ të hartuar nga ministria e Mjedisit thuhet se klima kërcënon komunitetet dhe infrastrukturën, ndaj duhen masa urgjente në disa sektorë të ekonomisë, nga bujqësia, turizmi, transporti, energjia apo zhvillimi urban, në të kundërt Shqipëria mund të humbasë 7% të Prodhimit Kombëtar nga mos-reagimi në kohë.
“Cenueshmëria e popullsisë shqiptare ndaj fatkeqësive natyrore përkeqësohet nga varfëria, infrastruktura me cilësi të ulët, ndërtimet e pakontrolluara dhe një sërë faktorësh mjedisorë të ndikuar nga njeriu, që nga shpyllëzimi i shpejtë, menaxhimi i dobët i baseneve ujore, degradimi në rritje i tokës e deri te ndotja mjedisore”, thuhet në planin e ministrisë.
Për të parandaluar humbje në përmasa të tilla, nevojiten investime 9.8 miliardë dollarë, në sisteme kullimi, argjinatura, rezervuarë, teknologji mbrojtëse ndaj ngjarjeve ekstreme, apo në ngritje të sistemeve të informacioni.
Po ashtu do të investohet në ripyllëzim në shkallë të gjerë, në ngritjen e planeve të emergjencave, gjelbërimin urban, rivendosjen e një brezi të gjelbër përgjatë bregdetit për të mbrojtur tokën nga erozioni apo investime në mbrojtjen e infrastrukturës energjetike apo përmirësimin e operacioneve të hidrocentraleve.
Këto investime thuhet në dokument janë të domosdoshme pasi Shqipëria ka humbur 2.3 miliardë dollarë në 3 dekada prej fatkeqësive natyrore. Fatkeqësia më e afërt është ajo e tërmetit të nëntorit 2019, me 51 viktima dhe 200 mijë banorë të prekur, e me kontribut negativ në ekonomi me 7.5%.
Sektorët më të rrezikuar nga ndryshimet klimatike janë bujqësia dhe turizmi. Sipas planit sektori bujqësor që është kryesor në ekonominë e vendit mund të përballet me rënie të prodhimit, tkurrje të tokave të mbjella e mungesë vaditje.
Po kështu edhe turizmi bregdetar, atraksioni kryesor në vend, është ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe erozionit të plazheve, ndërsa ndryshimet në modelet e temperaturës dhe reshjeve mund të ndikojnë edhe turizmin malor. Ndaj propozohet diversifikim i ofertës turistike drejt turizmit historik apo kulturor.“Ekonomia është e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të vazhdueshme të motit, të cilat mund të ndikojnë veçanërisht te grupet e margjinalizuara dhe familjet me të ardhura të ulëta, që shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për produkte të domosdoshme”, thuhet në dokument.
Shqiptarja.com

