20 Shkurt 2024

Është ndarë nga jeta në moshën 91- vjeçare një nga njerëzit më të rëndësishëm të dijes, të letrave dhe diplomacisë që ka jetuar në Shqipëri, Zef Cuk Simoni, autor, bashkautor i disa fjalorëve të rëndësishëm, përkthyes i veprave kryesore të letërsisë botërore, editor.

Bir i një prej familjeve më të rëndësishme intelektuale shkodrane, pjesë e një rrethi kulturor që punoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët në ndriçimin dhe kthjellimin e udhës, Zef Simoni studioi dhe krijoi me kualitet të lartë shkencor një jetë të tërë në urtësi, me përkushtim shembullor, siç u edukua nga prindërit e tij, për t’u dhuruar shqiptarëve vepra që do të mbesin një thesar i rrallë për fondin e gjuhësisë dhe të letërsisë së përkthyer në gjuhën shqipe.

Zef Simoni u lind në Shkodër më 19 mars 1933. Ishte i biri i Cuk Simonit. Mësimet e para i mori në shtëpi nga prindërit ku mësoi ofro 11 gjuhë të huaja.  Ai punoi si përkthyes në Agjensinë Telegrafike Shqiptare (A.T.SH.) dhe kryeredaktor e përkthyes në Ndërmarrjen e Botimeve Tiranë.

Në vitet e para të demokracisë ishte ambasador në Spanjë, deri më 1997 dhe më pas do të dilte në pension.  

Është autor i fjalorit gjermanisht- shqip dhe shqip- gjermanisht, spanjisht- shqip si dhe disa variante të fjalorit italisht- shqip.

Është bashkautor me Ferdinand Lekën i fjalorit italisht- shqip (me rreth 50 mijë fjalë), fjalorit shqip- italisht (40 mijë fjalë).  Gjithashtu është përkthyes i veprës “Kushtrimi i të parëve” nga Xhek London si dhe fitues i çmimit të parë si përkthyesi më i mirë në Shqipëri.