– Nga Klodi Stralla

Kjo që shihni në foto është një masiv shkëmbor në oazin Taya, në shkretëtirën e Arabisë Saudite, që njihet si shkëmbi Al Nasaa dhe vizitohet çdo vit nga mijëra turistë kuriozë. Masivi shkëmbor, siç e shihni, është i ndarë në dy pjesë dhe të le përshtypjen se “dikush”, mijëra vjet më parë, e ka prerë atë si me thikë.

Dy janë hipotezat që mundohen ta shpjegojnë një fakt të tillë: Njëra e natyrës gjeologjike dhe tjetra e natyrës teknologjike.

Sipas hipotezës së parë, miliona vjet më pare, ajo ka qenë pjesë e një masivi të vetëm që, në kushtet e shndërrimit gradual të mjedisit nga i lulëzuar në shkretëtirë, nën veprimin e erërave ranore dhe erozionit, ka mbërritur deri në gjendjen aktuale. Pra kemi të bëjmë me një vepër të natyrës, të formuar prej një kohe shumë të gjatë.

Sipas hipotezës së dytë, në një të kaluar shumë të largët, njerëzimi ka disponuar mjete teknologjike të tilla që ish në gjendje ta priste një shkëmb masiv siç e pret thika një copë djathi. Dhe këtu nënkuptohet lazeri.

Ky fakt ngërthen një pyetje që deri më sot nuk ka marrë një përgjigje shteruese: A ka ecur qytetërimi ynë në rrugë evolucionare, lineare, pra nga më e thjeshta tek më e ndërlikuara, nga padija në dije, nga primitivja drejt përsosmërisë apo njerëzimi ka ndjekur rrugën ciklike? Mos vallë dikur ka patur një zhvillim teknologjik më të avancuar nga ky i yni dhe rrethana ende të panjohura apokaliptike e kanë detyruar njeriun t’ia nisë çdo gjëje nga e para?

Asgjë nuk dihet me saktësi, por rasti i ekzistencës së masivit shkëmbor Al Nasaa, na detyron të shtrojmë pyetjen ndonëse ende s’jemi në gjendje të marim një përgjigje bindëse.