9 Gusht 2026

Flakët që përfshinë Malin e Krujës dhe iu afruan zonave të banuara lanë pas jo vetëm sipërfaqe të mëdha të djegura, por edhe dëshmi të banorëve për orët e panikut dhe frikës që përjetuan pranë shtëpive të tyre.

Banorët tregojnë se zjarri u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar banesa, biznese, ullishte dhe infrastruktura të rëndësishme të zonës.

Në disa raste, familjet u detyruan të nxirrnin fëmijët dhe të afërmit nga banesat, ndërsa banorët u organizuan me mjetet që kishin në dispozicion për të frenuar flakët.

Një prej banorëve pretendon se zjarrfikësit mbërritën me vonesë, në një moment kur zjarri kishte përparuar ndjeshëm.

“Për pesë minuta nga atje, erdhi e rrethoi komplet shtëpinë. Që të gjithë, ne morëm masa, sollëm kamionin me dy bota uji dhe e kemi mbajtur komplet situatën vetë”, tregon ai.

Sipas banorit, mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur pasi flakët ishin përhapur në zonë.

“Zjarrfikëset kanë hyrë shumë vonë. Mbasi u ka shkuar krejt zjarri, kanë ardhur vetëm sa për me fik vatrat e vogla, se zjarrin e kemi mbajtur vetë komplet”, shprehet ai.

Frika për jetën është një prej momenteve që banori kujton më fort nga ajo natë. Sipas tij, një e moshuar brenda banesës ishte përfshirë nga paniku ndërsa flakët po afroheshin.

“Plaka thonte, qante nëpër shtëpi, thonte le të digjem brenda. Ka qenë një tmerr i papamë”, rrëfen banori.

Me përhapjen e zjarrit, familjet nisën të largonin fëmijët dhe të afërmit nga zona, ndërsa burrat u organizuan për të mbrojtur banesat.

“Dolëm, i nxorëm fëmijët e krejt, me një siklet të madh. Erdhën burrat, u bëmë me çunat që e kemi mbajt”, tregon ai.

Flakët u përhapën në disa drejtime, duke përfshirë edhe një zonë me ullishte. Banori tregon se zjarri rrezikoi gjithashtu magazinat e ujësjellësit dhe ndërtesa të tjera.

“Mori kjo pjesa e ullishtes. Edhe u fut në të dy krahët. Rreth e rrotull shtëpisë doli zjarri para, vazhdoi mori ajo magazinat e ujësjellësit, zyrat tjetër atje prapë më para. Ka qenë një kaos i papamë”, tregon ai.

Situata u komplikua edhe më tej nga lëvizja e banorëve dhe mjetet që tentonin të hynin në zonë. Sipas dëshmisë, rrugët u bllokuan dhe ndërhyrja e zjarrfikësve u vështirësua.

“Po krejt lagjja po evakuohej, u bllokuan rrugët e zjarrfikësve, s’kishte asnjë lloj mënyre me hyrë zjarrfikëset. Ishin njerëzit krejt… kush mund të ikte më parë, krejt lagjja u tmerrua”, thotë banori.

Në rrezik u vu edhe një fasoneri, ndërsa pranë banesave ndodheshin dy kabina elektrike. Sipas banorit, ndërhyrja e punonjësve të OSHEE-së ndihmoi në shmangien e një tjetër rreziku.

“Aty matanë është një fasoneri… edhe aty kishin komplet frikë, që do të shpërthente ajo. Që këtu mbas shtëpisë janë edhe dy kabinat elektrike, po të shpërthenin ato mund të bënte katastrofë. Po qenë ata të OSHEE-së, ata e ulën thikat dhe u mor situata”, rrëfen ai.

Edhe pas largimit të flakëve kryesore, disa materiale pranë fasonerisë vijuan të digjeshin gradualisht, duke kërkuar ndërhyrje të mëtejshme.

“Janë mbetje që kanë besuar fasoneritë aty, edhe ato digjen avash-avash, gradualisht”, tregon banori.

Përtej rrezikut ndaj banesave, një nga dëmet më të mëdha të evidentuara nga banorët lidhet me ullishtet.

Sipërfaqe të tëra me pemë ulliri janë përfshirë nga flakët, ndërsa sipas banorëve shumë prej tyre ishin mbi 100 vjeç.

Përballë ullinjve të djegur, një banor e përshkruan dëmin shkurt: “Shihe vetë.”

“Komplet ullishtet e sheh si ka qenë. Kanë dalë totalisht mor, totalisht, totalisht”, thotë ai.

Sipas tij, bëhet fjalë për pemë të mbjella prej dekadash.

“Ullinjtë janë shekullore, mbi 100 vjet. Mbi 100 vjet. Ato janë mbjellë… me një fjalë, prej vitit ’40”, tregon banori.

Zjarri la pas banesa të shpëtuara, por edhe sipërfaqe të tëra të shkrumbuara. Për banorët, krahas dëmit material dhe ekonomik, mbetet edhe pasiguria për mënyrën se si u menaxhua situata në orët më kritike.

Dëshmitë e tyre japin një tjetër pamje të natës së zjarrit në Krujë: familje që largonin fëmijët nga banesat, banorë që përpiqeshin të frenonin flakët me mjetet e tyre dhe ullishte mbi një shekull që u shkrumbuan brenda pak orësh.