Myslim Murrizi

Myslim Murrizi: – “Besoj se dhe shpallja ‘non grata’ e Berishës ka qenë e qëllimshme, për ta zgjuar…

28 MARS 2022

“Sali Berisha më ‘non grata’ ishte në ‘97-ën se tani”, Myslim Murrizi del me deklaratën e fortë

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka komentuar sot zhvillimet më të fundit brenda partisë Demokratike. Murrizi i quan të pritshme zhvillimet në Partinë Demokratike, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, për regjistrimin e ndryshimeve në statutin e partisë, të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit.

“Është një ndërrim kursi, natyrshëm ndodh me atë që fiton. Berisha është fituesi i kësaj beteje të brendshme të nisur formalisht më 9 shtator, por që realisht ka nisur nga dhjetori i 2018. Ishte mbledhja e grupit parlamentar, në limitet kohore ku deputetët kishin 6 muaj pa hyrë në parlament dhe vinin vërdallë jashtë kuvendit me marrëdhënie të kushtëzuar. Ka patur debate, sidomos nga shkurti i 2019, kur edhe nga heshtja e pothuajse 43 deputetëve të asaj kohe që janë ndarë në dy grupe, rebelët e pas 9 shtatorit dhe pseudo-rebelët e pas 6 marsit.”, u shpreh Murrizi.

Po ashtu ai nënvizoi se nuk dëshiron që të ngatërrojë kombin amerikan me çdo individ që vjen i punësuar qoftë edhe ambasadori amerikan.

“Kemi pasur raste, që pasi kanë ikur nga këtu nuk kanë pipëtirë askund. Të më thonë mua zogjtë e korrentit dhe bijtë e bllokut anti-amerikanë, kur unë kam qenë i rebeluar qysh në referendum ‘94-ës. Jam rikthyer kur PD ra nga kali në 2014 dhe jam dy herë deputetë.”, tha ai.

Murrizi deklaroi se Berisha ka qenë shumë më “non grata” de fakto në vitin 1997, për ndërkombëtarët por edhe për shqiptarët.

“Besoj se dhe shpallja ‘non grata’ e Berishës ka qenë e qëllimshme, për ta zgjuar, pasi mund të kishte vazhduar një gjysmë mandat dhe do ikte. Nëse nuk do ishte shpallur ‘non grata’ do shkonte dy herë në muaj në parlament deri në 2025 dhe do të fashitej.”, u shpreh Murrizi.