Këmisha e prijësit të fisit Lakota, Dakota e Jugut

Muzeu gjerman riatdheson këmishën e prijësit të fisit Lakota, Dakota e Jugut.

Muzeu “Weltkulturen” në Frankfurt ka bërë të ditur se këmishën prej lëkure të prijësit të fisit Lakota, Daniel Hollow Horn Bear (Mato He Oklogeca), tashmë ia ka dorëzuar stërnipit të tij

Në kohën kur institucionet gjermane e kanë theksuar rëndësinë e riatdhesimit të artefakteve të ndryshme që janë në pronësi të tyre, muzeu “Weltkulturen” në Frankfurt ka bërë të ditur se këmishën prej lëkure të prijësit të fisit Lakota, Daniel Hollow Horn Bear (Mato He Oklogeca), tashmë ia ka dorëzuar stërnipit të tij, prijësit Duane Hollow Horn Bear. Në një njoftim për shtyp, si shtysë për kthim, muzeu ka përmendur “arsyet morale dhe etike”.

Këmisha prej lëkure i është dorëzuar Duane Hollow Horn Bear më 12 qershor në Rosebud, Dakota e Jugut. Duane Hollow Horn Bear kishte vizituar muzeun “Weltkulturen” në vitin 2019 dhe kishte paraqitur një kërkesë për kthimin e këmishës tek paraqiti disa fotografi historike, që John Alvin Anderson e kishte realizuar në vitin 1900. Në fotografi shihej prijësi Daniel Hollow Horn Bear, i cili vdiq në vitin 1913, me të njëjtën këmishë të veshur. Prijësi Daniel Hollow Horn Bear ishte një udhëheqës dhe politikan i respektuar që mbrojti të drejtat e popullit të tij dhe shpesh ishte një negociator kryesor me Qeverinë e SHBA-së.

Në vitin 2019, kur kërkoi kthimin e këmishës, prijësi Duane Hollow Horn Bear – siç shihet në një video që dokumenton këtë proces – kishte deklaruar se ka thënë për të kishte qenë një udhëtim i vështirë arritja deri te kjo pikë. “Jam përulur jo vetëm për të parë [këmishën e tij] në një foto, por për ta mbajtur atë në dorën time, sikur të jem duke mbajtur dorën e tij… Gjysh eja në shtëpi! Ne kemi nevoje për ty”, ka thënë ai.

Në një deklaratë, muzeu “Weltkulturen” ka shkruar se “këmisha e prijësit është një kulturë specifike, identitare, objekt me rëndësi fetare për komunitetin indigjen Teton Lakota. Këmisha ka një model të veçantë të rruazave me ngjyra të ndezura dhe flokët e njeriut, që pa dyshim i atribuohen familjes Hollow Horn Bear dhe janë dëshmi e posedimit personal që para vitit 1906… Për prijësin Duane Hollow Horn Bear dhe familjen e tij, kthimi i këmishës është si kthimi i vetë gjyshit”.

Muzeu “Weltkulturen” e mori këmishën në vitin 1908 nëpërmjet një shkëmbimi me Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në New York. Për 30 vjetët e fundit, këmisha kishte qenë në hua dhe ishte shfaqur në Muzeun Gjerman të Lëkurës afër qytetit Offenbach.

Në një deklaratë për media, Ina Hartwig, nënkryetare e bashkisë e ngarkuar për kulturë dhe shkencë për qytetin e Frankfurtit, ka thënë se “hulumtimi i prejardhjes është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen muzetë në shekullin 21”.

Këmisha e prijësit të fisit Lakota, Dakota e Jugut

“Muzetë në Frankfurt e kanë marrë me shumë seriozitet këtë sfidë për vite me radhë dhe koleksionet po i nënshtrohen një rishikimi sistematik. Edhe pse përfaqëson një humbje për koleksionin dhe objekti u ble legalisht nga muzeu “Weltkulturen”, unë e shoh kthimin e këmishës prej lëkure tek prijësi Duane Hollow Horn Bear si një detyrim që tejkalon situatën zyrtare ligjore”, ka thënë Hartwig.

Gazeta Koha.net, Prishtine