MOTI I KEQ: Reshjet shkaktojnë përmbytje në Lezhë, Vlorë dhe Shkodër, mbi 20 fshatra pa energji elektrike. Drini dhe Osumi, rrezik për dalje nga shtrati.

8 janar 2021

Moti i keq ka pushtuar vendin duke shkaktuar përmbytje, dalje të lumenjve nga shtrati dhe izolimin total të fshatrave të tëra për shkak të dëborës.

Reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Vjosë të rritet mbi 6.3 metra mbi nivelin e detit.

Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, Vjosa ka dalë nga shtrati i saj duke përmbytur një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit në Vlorë, megjithatë nuk parashikohet që të shkaktojë  probleme të tjera.

Lumi Drin dhe Osum po ashtu rrezikojnë që të dalin nga shtrati nga shirat e dendur që kanë rënë gjatë natës e që vazhdojnë të bien.

Në Shkodër situata duket problematike, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në shkarkimet në lumin Drin e Bunë.

Rruga e Obotit është e pakalueshme, pasi niveli i ujit ka shkuar në 60 centimetra, ndërsa banorët e fshatit janë bllokuar.

Ndërsa në fshatin Shirq, në vendin e quajtur Urrela dhe Mushan, uji ka përmbytur 489 ha tokë.

Ndërkohë, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar pajisjen e mjeteve të ushtrisë për lundrimin dhe krijimin e eksesit për banorët e Obotit.

Reshjet e shiut kanë sjellë probleme edhe në qytetin e Lezhës, ku për shkak të shiut që ka rënë gjatë natës, janë izoluar blloqet e banimit ’11 janari’ të lagjes ‘Besëlidhja e Lezhës’.

Mbi 20 fshatra në zonën e Memaliajt kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë në Gjirokastër ka pasur rrëshqitje të dherave në lagjen “Punëtori” ku si pasojë janë vënë në rrezik banorët e një pallati 5 katësh.

Gjithashtu, moti i keq ka sjellë dhe reshje dëbore ku si pasojë është izoluar dhe Thethi, ku banorët kanë mbetur dhe pa energji elektrike.

Situata me përmbytjet në vend është paralajmëruar për disa ditë me radhë nga ana e Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka bërë dhe parashikimin e motit për ditën e sotme në vendin tonë.

Sipas IGJEUM, moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë gjatë gjithë ditës së sotme me vranësira dhe reshje shiu.

Temperaturat e ajrit rriten lehtë në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -2°C në 11°C, ndërsa era do fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri 45 km/h nga drejtimi Jugor duke krijuar në det dallgëzim 4 ballë.

j.l./ dita