More dudum, kokëkungull… – Partia pa liri, militanti bardhezi, media

23 shkurt  2020

 “Një parti që nuk ka liri brenda saj, kur vjen në pushtet mungesën e lirisë e kthen në thagmë për të dhunuar njerëzit që e duan larine… Deputetët dhe ministrat pushtetarë bëhen kështu vegla të verbëta, celulizmi bëhet katastrofik, duke mos qenë të lirë për vehte, mëtojnë të prekin edhe lirinë e të tjerëve dhe në përgjithësi” – shkruan Moikom Zeqo në një shkrim publikuar në DITA.

Për politikanë të tillë të pushtetit, duhet përmendur epigrama e shkruar në 1901, nga Faik Konica – thotë ai:

– More Dudum, kokëkungull / Gojëbuall, e barkrrumbull / Thuamë të rëntë pika / Ç’të duhet ty politika? Hiq, mor Dudum dorë ‘adje / Të kllasëm në një kade / Plot me mjaltë e me reçel / Ha e pi e kurrë mos del…

Politika shqiptare në përgjithësi, nuk e ka idenë e lirisë – shkruan Moikomi duke shtuar se:

“Militantët e partive kur vijnë në pushtet, janë manikenj,- koncepti i tyre propagandistik është si lufta antagoniste midis të Mirës (ata e identifikojnë paturpësisht, subjektivisht veten e tyre me të mirën) me të Keqen, që janë përherë të tjerët, kundërshtarët, opozitarët. Ky thjeshtëzim, është fatal… Syzet bardhë e zi, janë optika e tmerrshme e shoqërisë së sotme”.

Një rrugë shtëpimi për të gjetur lirinë që nuk e njohin dot, është shtypi dhe masmedia. Po a janë shtypi dhe masmedia të lirë?

Shkruan Moikomi ndër të tjera:

“Pas shkatërrimit të ortodoksisë moniste, të shtypit të saj të komanduar, kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Për fat të keq, shtypi postkomunist është plot infektime dhe reminishenca të rënda nga e kaluara. Kështu ndodh që mëditësit shkrimorë janë shërbëtorët e politikës, sepse nuk u intereson liria e vërtetë. Ky mercenarizëm, është i frikshëm.

Opinionbërësit, ndonëse të paguar shumë shtrenjtë, kësisoj tepër komodë, kanë mllefe me emra të caktuara politikanësh dhe janë larg të kuptuarit të dukurive të vërteta që shqetësojnë Shqipërinë sot. Kështu nuk arrijnë dot të konstruktojnë opinionin publik, të vërtetë.

Nuk mund të ketë opinion publik, pa ide dhe pa dituri, nuk mund të ketë opinion publik nëse nuk beson dhe nuk sakrifikon asgjë për lirinë, jo për lirinë e keqkuptuar dhe të shpërdoruar të vetvetes, por për lirinë e të gjithëve.

Kjo do të thotë që shtypi dhe masmediat, nuk duhet t’i kontrollojnë grupet e interesit,ose te klonohen nga pushtetaret “triumfaliste” – siç ndodh në Shqipëri.

Opinioni publik duhet të jetë substanca e të gjithëve së bashku. Nuk mund të ketë liri të disave dhe njëkohësisht mungesë të lirisë për të tjerët. Liria u takon të gjithëve. Në këtë apoteozë, shtypi i lirë dhe masmediat, kanë një mision të shenjtë”.