19 Shtator 2023

Qendra Kombëtare e Kinematografisë hapi ditë më parë thirrjen për kandidaturën e Shqipërisë në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”. Një ditë më parë QKK bëri me dije se janë zgjedhur dhe anëtarët e komisionit selektues. “Miratohet nga Academy of Motion Pictures Arts and Sciences (AMPAS) Komisioni Përzgjedhës i Kandidaturës Shqiptare për Kategorinë “International Feature Film”, edicioni i 96-të i çmimeve “Oscar”.

Përbërja e komisionit që do të përzgjedhë kandidaturën shqiptare për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”, kategoria “International Feature Film” është si më poshtë: Arben Lami (kryetar), Gerta Qurku, Genc Përmeti, Eno Milkani, Florenc Papas”, thuhet në faqen zyrtare të QKK.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ftoi ditë më parë shtëpitë filmike shqiptare të paraqesin veprat e tyre për marrje në konsideratë, si kandidatura shqiptare, në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”, që do të akordohen nga The Academy of Motion Picture Arts and Sciences më 10 mars 2024, ndërsa ka bërë me dije dhe kriteret kryesore për pjesëmarrje në këtë kategori. “Në këtë kategori, mund të marrin pjesë filma artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë.

1. Filmi duhet të jenë i gjatë mbi 40 minuta.

2. Filmi duhet do të ketë bërë premierën në Shqipëri jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023.

3. Filmi duhet të jetë shfaqur ose të shfaqet komercialisht në kinema, në Shqipëri, brenda datave të mësipërme, për të paktën 7 ditë rresht.

4. Filmi duhet të përmbajë të paktën 50 për qind dialog në gjuhën shqipe.

5. Filmi duhet të jetë bërë me të paktën 50 për qind, aktorë dhe staf shqiptar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Afati për materialet që dërgohen nga producenti i filmit të përzgjedhur në zyrat e A.M.P.A.S. është ora 17:00, e hënë, 2 tetor, 2023.

Gazeta Sot