Ministri i Jashtëm izraelit në Tiranë| Nënshkruhet marrëveshja e parë me Hoxhën, pritet takimi me Ramën

12 tetor 2026
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare me qëllim finalizimin e një sërë marrëveshjeve ndërqeveritare. Gideon Sa’ar ka mbërritur në ambientet e Kuvendit bashkë me delegacionin që e shoqëron, teksa pritet takimi me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe më pas me kryeministrin Edi Rama.
Ndërkohë është realizuar pritja nga homologu Ferit Hoxha në ambientet e ministrisë së Jashtme.
Hoxha dhe kryediplomati izraelit nënshkruan marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Gjatë takimit, Ministri Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.
Sa’ar ka vizituar gjithashtu dhe ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë.
