Mediat e huaja: – Dhunë në protestën antiqeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë

11 Shkurt 2026
Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe skandaleve që e kanë përfshirë së fundmi atë.
Associated Press, The Telegraph dhe Washington Post shkruajnë se mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë për të kërkuar largimin e qeverisë së Ramës, pas akuzave të ngritura nga drejtësia ndaj zëvendës kryeministres së pezulluar Belinda Balluku.
Mediat vënë theksin edhe te përdorimi i gazit lotsjellës dhe uji nga policia ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit hodhën molotov.
“Qeveria e kryeministrit Edi Rama është kritikuar ashpër për akuzat për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, por Rama i ka rezistuar thirrjeve për ta shkarkuar atë. Ka pasur kërkesa në rritje që ligjvënësit t’i heqin imunitetin Ballukut nga ndjekja penale, gjë që mund të bëhet vetëm me votim parlamentar.”, kanë shkruar mediat.
Vihet theksi gjithashtu edhe te akuzat ndaj Ballukut si edhe kërkesa nga ana e SPAK për t’i hequr imunitetin dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.
“Prokurorët antikorrupsion e kanë akuzuar Ballukun, e cila është gjithashtu ministre e energjisë dhe infrastrukturës, për ndërhyrje në prokurimin publik për projektet e ndërtimit për të favorizuar kompani të caktuara dhe kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj.”, thuhet më tej në artikuj.
Në protestën e së martës morën pjesë mijëra njerëz, thuhet në artikujt, duke shtuar se kjo ishte demonstrata e tretë e tillë në muajt e fundit që kërkonte dorëheqjen e Ramës. Më shumë se 1,300 oficerë policie ishin vendosur për të garantuar sigurinë.
“Kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, një ish-kryeministër i cili është përballur edhe vetë me akuza për korrupsion, e përshkroi protestën si një “kryengritje paqësore” në një moment kritik për Shqipërinë. Duke folur në protestë, ai akuzoi Ramën se “i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë”.”
