Marta Kos: – Ne duhet që të kundërsulmojmë kundër atyre që pretendojnë se qytetërimi evropian është në rënie, se ekonomia jonë është në rënie, se nuk kemi demokraci të vërtetë.

Marta Kos
6 Shtator 2026
…disa vende do të shkojnë në zgjedhje vitin e ardhshëm, ku populistët e djathtë potencialisht mund të fitojnë zgjedhjet.
Komisionerja Kos ka përmendur së fundmi edhe fushatën e keqinformimit që synon frenimin e procesit të zgjerimit.
“Për mua, pjesa më e rëndësishme është që të sigurohemi që të largojmë frikën e shumë qytetarëve në shtetet tona anëtare se ne nuk jemi të aftë të zgjerohemi. Patëm edhe një referendum në Islandë ku kemi parë se ka shumë dezinformim ose keqinformim që fuqizohet ndonjëherë brenda vendit, por që vjen jo vetëm nga lindja, por edhe nga perëndimi.”
Kos flet me doza autokritike dhe evidenton rrezikun nga populistët.
“Duhet që të jemi në gjendje të shpjegojmë se për çfarë bëhet fjalë, pasi tani shoh tendencën që e redukton Bashkimin Evropian në një bashkësi ekonomike. Duhet që të jemi të zëshëm, sepse populistët e djathtë dhe kundërshtarët e tjerë të BE-së janë shumë të zëshëm. Ata po shpenzojnë shumë para. Ne duhet që të kundërsulmojmë, nëse e them këtë në këtë gjuhë, kundër atyre që pretendojnë se qytetërimi evropian është në rënie, se ekonomia jonë është në rënie, se nuk kemi demokraci të vërtetë.
Nëse shikoni sondazhin e Eurobarometrit, nuk ka shumë entuziazëm në disa vende që do të shkojnë në zgjedhje vitin e ardhshëm, ku populistët e djathtë potencialisht mund të fitojnë zgjedhjet.”
Ajo u bën apel liderëve për angazhim në këtë fushatë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kuptohet që nuk mund të jetë vetëm Komisioni Evropian ose Bashkimi Evropian që shpjegojnë pse zgjerimi është i mirë.
Ne kemi nevojë për angazhimin e udhëheqësve të shteteve anëtare, që duhet të marrin gjithashtu rolin e tyre.
Ne gjithashtu kemi nevojë për udhëheqësit në vendet tona kandidate.
Ata duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre, por edhe qytetarëve në shtetet anëtare rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së.”
Kos ka paralajmëruar hartimin e një strategjie për të mbrojtur shtetet kandidate nga ndikimi i jashtëm, kërcënimet hibride, manipulimin e informacionit dhe dezinformimin, sidomos gjatë zgjedhjeve.
Sipas Kos, në fillim të vitit 2027 do të nisë funksionimin një qendër për Rezistencë Demokratike, e cila do të mbulojë gjashtë shtetet ballkanike nga sabotimi i rrugës së integrimit.
