Marshimi nëpër Tiranë me thirrjet për largimin e Ramës

Dita e 87 e Protestes, 25 Gusht 2026
25 Gusht 2026
Ka përfunduar ditën e saj të 87-të protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pas një tjetër mbrëmjeje të shoqëruar me fjalime mobilizuese, marshim në akset kryesore të kryeqytetit dhe thirrje për dorëheqjen e pushtetit.
Pasi përfunduan fjalimet e mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin e tyre të përditshëm në rrugët e Tiranës. Turma u drejtua fillimisht drejt Sheshit “Nënë Tereza” dhe zonës së stadiumit “Air Albania”, për të vijuar më pas lëvizjen përgjatë Rrugës së Elbasanit.
Në vijim, qytetarët u rikthyen sërish përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur përpara Kryeministrisë, aty ku zhvillohet çdo ditë qëndresa e tyre.
Gjatë gjithë marshimit, protestuesit vijuan korret e njëpasnjëshme me parulla të forta kundër mazhorancës, ku më kryesorja mbetet thirrja “Rama, jep dorëheqjen!”. Qytetarët shprehën vendosmërinë e tyre për të mos u dorëzuar dhe për ta vijuar rezistencën.
Në përfundim të tubimit përpara godinës qeveritare, protestuesit përsëritën thirrjen që tashmë është kthyer në refrenin e përditshëm të kësaj lëvizjeje: “Nesër më shumë!”.
