24 Tetor 2025

Kryeministri Edi Rama u përpoq dje të heqë përgjegjësinë nga vetja për vonesat në zbatimin e “Paketës së Maleve”, duke akuzuar kryebashkiakët se po pengojnë projektin me mosdorëzimin e hartave për zonat malore ku do të zbatohen investimet.

Por ndërsa qeveria kërkon shpejtësi, një rrezik i madh është në horizont. Çështja e pronave mbetet “thembra e Akilit” e kësaj nisme.

Ligji i miratuar në mas 2025 me votat e maxhorancës, i hap dritën jeshilë kalimit të pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik.

Për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetët e opozitës  jemi përpara ‘një plaçkitje e madhe’, ku Rama po ndërsen ‘baronët e drogës kundër tokave të qytetarëve.

Pse kryetarët e bashkive nuk kanë dorëzuar hartat e zonave prioritare?

Drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, eksperti i çështjeve vendore, Agron Haxhimali e ka një përgjigje. Thembra e Akilit e kësaj pakete është çështja e pronës.

Problemi nuk është mungesa e vullnetit, por mospërputhjet ligjore dhe kadastrole “Nuk është se janë pengues të këtyre proceseve, por s’kanë çfarë ti japin se nuk ka përputhshmëri, se diku bie me 7501-shin, diku bie me 20/20, diku me një vendim prone të kthyer me gjykatën. Ka një mospërputhje midis asaj hartës që ai ju kërkon, si është e regjistruar kjo pronë në kadastrën e shtetit” tha Haxhimali.

Pra kemi të bëjmë me ‘tokë me shumë zotër”.  E një tjetër shqetësimi i madh me pronat e zonave malore është se në të shumtën e kohës janë të ndara verbalisht mes bashkëfshatarëve, por nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës.

Frika se mos përfundonjë në SPAK a në burg

Megjithëse ndodhet përballë një situate të tillë Rama urdhëron të gjithë krerët e pushtetit lokal që brenda tre ditësh të depozitojnë hartat për zonat që banorët kanë shprehur interes investimi.

Por nuk është fjalë goje. Haxhimali u bën thirrje kryetarëve kryetarët e bashkive se duhet të kenë kujdes të mos zbatojnë urdhra të paqartë, pasi mund të përballen me ndjekje penale.“Kryetarja e bashkisë Lushnjë për një kontratë qiraje për një pronë, sot është në SPAK. Pse duhet të shkojë kryetari i Pukës në SPAK për një urdhër të paqartë

Ju kujtoj vetëm një rast në vitet e para të qeverisjes Rama shkoi në Berat. Aty një zonjë u ankua nga ALUIZNI se nuk po i bënte letrat. Po. Edhe ky i tha, dëgjo i tha drejtorit, unë s’do iki sot tha, këtu, nesër mjesë kjo zonja do të ketë letrat e ALUIZNI-t. Zonja i mori letrat e ALUIZNI-t, po drejtori shkoi në burg. Hëhë. Se ia dhanë në mënyrë të paligjshme.”

 Pse Rama po nxiton?

Përballë mos zgjidhjes së cështjes së pronave, ultimatumi i Ramës për të sjellë sa më parë hartat është i nxituar, ndërsa kryetarët e bashkive duhet të bëjnë kujdes për të zbatuar ligjin dhe jo urdhrat e paqarta.

Në shumicën e zonave malore, pronat janë të ndara “me gojë” mes familjeve, por pa dokumente zyrtare.

Sipas ligjit të ri, “poseduesi” mund të bëhet pronar nëse provon se ka jetuar apo e ka përdorur tokën për 10 vite, me tre dëshmitarë ose foto satelitore.

Por kjo, sipas ekspertit, është një kleçkë ligjore që mund të hapë rrugën për abuzime të mëdha:“Çfarëdo të bëj me fut të gjithë ‘Diellat’, me fut të gjithë ChatGPT-në. Si bëhen hartat e pronave atyre që kanë kërkuar në sekond? Pra nuk është çështje vizatimi kjo. Çfarë baze juridike ka harta për të vërtetuar pronësinë e tokës” thotë Haxhimali.

“Këto janë shqetësime duhet zgjedhur” shton ai, ndërsa e quan positive faktin që kryetarët e bashkive janë tërhequr për të mos e zbatuar.

Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi dje se me këtë ‘paketë’ Rama po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes“Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë armiqësinë e tij të egër ndaj veriut të Shqipërisë dhe zonave malore sepse në vitin 2012, ne miratuam ligjin në të cilin investimin në të gjithë zonat malore e përjashtonim për 8 vite nga taksat. Por nuk autorizonim veten që të merrnim qoftë edhe një centimetër tokë nga dikush. Pra, ai që do bënte investimin, problemin do e zgjidhte me pronarët. Kështu që me këtë që po bën, vetëm po mbjell farën e armiqësive dhe vëllavrasjes”

Zjarret, tymi dhe poseudesit

Zjarret që shkrumbuan në verë mijëra ha tokë nuk ishin të rastësishme. Të gjitha kanë qenë në zona malore ku certifikatat e pronësisë nuk ekzistojnë.

Zakonisht në Shqipëri pjesa më e madhe e pronarëve kanë prona të trashëguar brez pas brezi por jo të regjistruara. Janë të ndara verbalisht por nuk kanë pasur konflikte, sidomos ne veri.

Ndërkohë ligji thotë se edhe SHPK apo SHA që kanë interes mund ta përfitojnë nëse vërteton se e posedon për 10 vite dhe çdo pronë do të shitet nga shteti me 1 euro metri katror. Bëhet fjalë për prona të mëdha, ku investitorët strategjikë mund të bëjnë resorte malore për shembull.

Eksperti shpjegon kleçën dhe çfarë mund të ndodhë, duke intepretuar dhe termin ‘poseduesi’ në ‘paketën e maleve’“Poseduesi do të thotë në qoftë se ti ke 10 vjet që e ke poseduar, – nuk ka rëndësi se a toka e familjes tënde –  Në qoftë se ti demonstron me tre dëshmitarë që këtë pronën këtu, te kjo faqja e malit, kam 10 vjet që e kam mbajtur unë, kam kullotur bagëtitë e mia, kam pasur stanin tim ose dikur kam pasur gështenjat, dhe me tre dëshmitarë ço hartë, bëj letër bashkia edhe ti mund të bëhesh pronar i asaj toke, ngre bujtinën. Ose me foto të ortokulturës”

Për dokumentimin e posedimit, ligji ia lë detyrë administratorit dhe kryeplakut.

Por “statusi i pronës nuk mund të përcaktohet nga kryeplaku, as nga një administrator. Le të jetë i aftë burrë i mirë sa të duash. Kjo duhet parë në themel” ngre zërin Haxhimali duke paralajmëruar  rrezikshmërinë që paraqet mënyra si është parashikuar marrja e pronave. ’Nuk mund të bëhesh pronar me tre dëshmi të banorëve, fotografive të kultivimit të ortokulturave”

Çfarë është ‘Paketa e Maleve’

Nisma ligjore Nr. 20/2025 e ‘Paketës së Maleve’ e ngjashme me atë të investimeve strategjike kaloi në mbledhjen e qeverisë në 9 janar 2025 u miratua në kuvend me 73 vota të maxhoracës në 13 mars. Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike e quajti një nismë që i shërbeu PS në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.
( Ligji zgjedhor ndalon në një periudhë 4 muaj para zgjedhjeve nismat ligjore që parashikojnë përfitime që mund të ndikojnë tek elektorati)

Ligji  i hap dritën jeshilë kalimit të pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro metër katror të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.

Në këtë rast, posedues jo pronarë, quhen ata individë të cilët ushtrojnë posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore, duke e përdorur atë sikur të ishte ai pronari i saj. Gjithashtu parashikon që 500 investitorët e parë të përfitojnë zero taksa për 10 vite, dhe të mund të blejnë tokë shtetërore me çmim simbolik 1 euro për metër katror. Ligji  përcakton se për të fituar pronën, mjafton ta kesh poseduar për 10 vite dhe ta dëshmosh me tre dëshmitarë ose prova ortofoto. Deri në gusht, ministria e Ekonomisë deklaroi se ishin mbi 3 mijë shprehje interes

Çfarë fshihet pas paketës së maleve?

Pas paketës së maleve, mungesa e transparencës dhe hijet e dyshimeve. Deputeti i PD-së Bardh Spahia kujton si Rama mashtroi banorët e Thethit  gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit.“ Rama te banorët e zonave malore bënte thirrje pë rinvestime, për t’u kthyer në Shqipëri për të investuar,më pas i dhunoi në pronat e shtëpitë e tyre të trashëguara brez pas brezi, dhe rezultati është ai që shohim sot në Theth, shkatërrim total në mes të sezonit. Paketa e maleve është  iniciativë që ka hije dyshimi, velo mungese që mbulon e s’lejon transparencë e marrje informacioni për këtë iniciativë”tha Spahiu.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se qeveria po ndërhyn pa plan dhe kujton urdhrin e Ramës për të prishur pikërisht bujtinat dhe objektet e ndërtuara prej këtyre banorëve pikërisht në pikun e sezonit turistik të banesave në Theth, duke i shkatërruar ekonominë e tyre.“E kuptoni, 12 vite ai ka investuar në të gjitha rrethet e veriut më pak se në një rreth të kategorisë së tretë në zonat e tjera? Dhe tani flet për paketën e maleve. Paketën e maleve e tregoi me Thethim, që u soll më keq se çdo pushtues. Shkatërroi 100 objekte. Del në Sylbicë, spiunojnë patronazhistët, dhe i prish tjetrit objektin, pa pasur asnjë plan absolutisht”

Ky është krim!” tha Berisha.

Ekspertët I bëjnë thirrje qytetarëve që të bëjnë shumë kujdes që në momentin që bëhet afishimi i pronave që preken nga paketa e Maleve dhe të bëjnë ankimim nëse prona e tyre përfshihet. Ose ndryshe prona do të merret nga investitori strategjik