Maks Velo vdic pa asnje perkujdesje nga shteti. Pa shtepi.  Dy dite pas vdekjes, merret vendim arbitrar per ta bere muze shtepine ku banoj, qe nuk ishte e tija.

Lajm-Arkiv:

Anastas Kostandini: – “Braktisi spitalin”. miku piktor rrëfen bisedën e fundit me Maks Velon: E këshillova të lajmëronte njerëzit me pushtet, por ai…

8 maji 2020

Nga: Anastas Kostandini

“Nuk ndihej mirë me kushtet e spitalit “Nene Tereza”, e kishte kërkuar së paku një dhomë që të kishte tualet brenda, pasi kishte vështirësi për t’u ngritur. Më kërkoi që të interesohesha për ndonjë spital privat”, thotë piktori.

Arkitekt, skulptor e piktor “par excellence”, shkrimtar e një nga zërat më kritikë edhe për situatën e kulturës e të artit në vend, mungesa e tij do të ndihet po aq fort sa edhe prania në veprat që la pas.

Maks Velo (1935-2020) u nda nga jeta ditën e djeshme nga një sëmundje e rëndë, për të cilën kishte mësuar së fundmi. Me dashurinë për botën perëndimore, artin e gjenive të mëdhenj, që duket sikur iu shënjua që në lindje, në Paris, afro 85 vite më parë (në 31 gusht do të festonte 85-vjetorin), jeta në Shqipërinë e prangosur prej diktaturës nuk qe aspak e lehtë për të.

Dhjetë vitet e kaluara në burg, në vend të kompromisit, do ta bënin të bërtiste edhe më të vërtetën, edhe në postdiktaturë. Jeta ia shtoi vuajtjet, natyra e tij rebele ia pakësoi miqtë e, megjithatë, ata të vërtetët i qëndruan pranë. I tillë qe dhe ish-nxënësi i tij, më pas koleg e mik, Anastas Kostandini.

Piktori pogradecarAnastas Kostandini, i tronditur nga humbja e mikut të tij, rrëfen për “Panoramën” telefonatën e fundit me të pak ditë më parë, kur Velo gjendej i shtruar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në repartin e Hematologjisë.

“Nuk ndihej mirë me kushtet e spitalit, e kishte kërkuar së paku një dhomë që të kishte tualet brenda, pasi kishte vështirësi për t’u ngritur. Më kërkoi që të interesohesha për ndonjë spital privat”, thotë piktori.

Miku i tij, pas shqetësimit të Velos, është vënë menjëherë në kontakt me një mjek që njihte në spital për t’u interesuar se ç’mund të bëhej për të. Aty do të mësojë edhe diagnozën, bëhej fjalë për kancer në gjak.

“Mjeku më këshilloi që t’i thosha profesorit se kudo që të shkonte, do t’i duhej ta blinte gjakun dhe të paguante hospitalizimin. Po ashtu, mjeku shtoi se nëse do të kishte nevojë për një transfuzion në gjak, do të ishte e pamundur ta përballonte në gjendjen që ai ishte. Të gjitha këto, unë i ndava me Maksin, por, ndërkohë, ai e kishte braktisur spitalin. Në këtë situatë, i shqetësuar për shëndetin e tij, kur rrethanat prej pandemisë së Covid-19, por edhe një tragjedi familjare, nuk më lejonin t’i gjendesha pranë, unë e këshillova të lajmëronte ata persona që kanë pushtet dhe mund të bëjnë diçka, pasi ai është një njeri me kontribut të paçmueshëm. Mirëpo, ai qëndroi deri në fund stoik dhe besnik ndaj natyrës së vet. Më la të kuptoj se do të bënte atë që do i sillnin rrethanat…”.

Gazetare Anila Dedja, Gazeta Panorama.