Majlinda Laçaj: Muzeu Historik i Shkodrës, një takim i përditshëm me historinë dhe sfidat e së ardhmes

Majlinda Laçaj
30 Dhjetor 2025
Përgjegjësja e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçaj, ndau në një bisedë reflektuese në “Simfoni Festash” rëndësinë e institucionit që drejton, sfidat aktuale dhe vizionin për ta afruar historinë me brezat e rinj. Sipas saj, puna në muze nuk është thjesht profesion, por një takim i përditshëm me historinë, me kujtesën dhe identitetin e qytetit.
Laçaj theksoi se brezi i ri duhet të njihet më nga afër me artefaktet historike, duke e bërë muzeun më tërheqës dhe më interaktiv. Etnografia, arkeologjia dhe pinakoteka janë sektorë që, sipas saj, ngjallin kureshtjen e vizitorëve dhe ofrojnë një pasqyrë të plotë të trashëgimisë shkodrane ndër shekuj.
Gjatë këtij viti, numri më i madh i vizitorëve ka qenë i huaj, çka dëshmon interesin në rritje të turistëve për historinë dhe kulturën e Shkodrës. Një nga objektet më të vjetra të koleksionit arkeologjik daton 3000–6000 vite para lindjes së Krishtit, duke e bërë muzeun një dëshmi të rrallë të hershmërisë së jetës në këtë territor.
Majlinda Laçaj bëri të ditur se aktualisht po punohet për rijetëzimin e instrumenteve folklorike me tela, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur dhe rikthyer trashëgiminë shpirtërore. Ndërkohë, një nga sfidat kryesore të muzeut mbeten burimet njerëzore, të domosdoshme për zhvillimin dhe mirëfunksionimin e tij.

Në planet afatgjata, synimi është digjitalizimi i bibliotekës së muzeut, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe aksesit më të gjerë për studiuesit, nxënësit dhe publikun e interesuar.
Sipas Majlinda Laçajt, Muzeu Historik i Shkodrës nuk duhet parë vetëm si një hapësirë ekspozimi, por si një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes, ku historia flet, edukon dhe frymëzon brezat që vijnë.
