“Mafia shqiptare është shumë e fortë! Në të ardhmen…”- Çfarë deklaronte në vitin 2019 Prokurori që zbuloi lëvizjen ilegale të miliona eurove nga Ndragheta

27 janar 2021

Kreu i Prokurorisë së Catanzaros, Nicola Gratteri, i cili çoi pas hekurave 48 persona gjatë operacionit “Profil i ulët”, mes tyre dhe shqiptarë  na kishte paralajmëruar për këtë goditje.
E themi këtë sepse në një intervistë dhënë gazetarit Massimiliano Montefameglio në vitin 2019, ku fliste për organizatën mafioze Ndragheta, impaktin e mafies në shoqëri dhe instrumentet, Gratteri shprehej se në të ardhmen do të merreshin me Shqipërinë, pasi mafia këtu është shumë e fortë dhe se ekzistonte një nivel i frikshëm i përhapjes dhe korrupsionit.

Teksa thekson se Shqipëria është e mbushur me marijuanë, Gratteri e përforcon këtë argument duke folur për aktivitetin e shqiptarëve në Holandë.

Në të ardhmen besoj se ne do të merremi shumë me Shqipërinë, sepse mafia shqiptare është shumë e fortë. Ekziston një nivel i frikshëm i përhapjes dhe korrupsionit. 1/3 e Shqipërisë është mbjellë në marijuanë. Shqiptarët janë shumë të fortë dhe shumë prezentë në Holandë, sa që qeveria holandeze është shumë e shqetësuar dhe po mendojnë të modifikojnë ligjin për drogat, mbi të gjitha për konsumin, shitjen e të ashtuquajturave droga të lehta.

Sidoqoftë në Holandë nuk është e legalizuar shitja, është e toleruar, që është diçka ndryshe dhe është e lejuar në disa bare për t’u poseduar jo më shumë se gjysmë kg marijuanë dhe ta shesësh. Mendohej se ishte një zgjidhje e problemit, por realisht në vitet e fundit kanë parë se kanë pasur një rritje të krimeve”, tha ai.

“Ky hetim është sinteza e asaj që kemi thënë për dekada”, deklaroi pak ditë më parë prokurori i Catanzaro Nicola Gratteri për operacionin “Profil i Ulët” në Crotone, i cili çoi në 48 masa paraprake.

Gazeta Panorama