Borxhi i lartë dhe informaliteti kanë zhbërë skemat lehtësuese nga BSH dhe qeveria. OKB nxjerr vlerësimet për ekonominë shqiptare

27 janar 2021

Departamenti për Çështjet Sociale dhe Ekonominë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin më të fundit të situatës dhe perspektivës së ekonomisë globale, 2021.

Sa i përket Shqipërisë, raporti i OKB, projekton një normë rritje të ekonomisë prej 4.8% këtë vit, lehtë nën projeksionet e Bankës Botërore dhe të qeverisë shqiptare. Sa i përket vitit që lamë pas, recesioni vlerësohet në -6.1%. Ky vlerësim ndërkohë, duket të jetë më optimist se ai i Bankës Botërore, institucioni i parë që ka publikuar projeksionet këtë vit sa i përket ecurisë së ekonomisë globale.

Pavarësisht kësaj, kjo normë na vendos të dytët në rajon sa i përket recesionit të shkaktuar nga pandemia. Vetëm Mali i Zi parashikohet të ketë një recesion më të thellë se Shqipëria. Për vitin e ardhshëm ndërkohë, OKB projekton një normë rritje të ekonomisë pranë 3.5%.

Në kapitullin dedikuar rajonit, Departamenti për Çështjet Sociale dhe Ekonominë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara nënvizon mes rreshtave se, aftësia për të implementuar politika ekspansioniste, të krijuara për të zhbërë disi efeketet kontraktuese të krizës, ka qenë i limituar në vendet me borxh të lartë publik, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku turizmi është një kontribues i rëndësishëm në prodhimin total.

Shqipëria përmendet edhe në një tjetër kontekst në raport, ku flitet për mbështetjen e qeverisë nëpërmjet iniciativave të ndryshme si pasojë e krizës. “Impakti i këtyre iniciativave në mbështetje të ekonomisë nëpërmjet subvencionimeve të pagave apo skemave të financimit, sidomos në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, ka qenë i kufizuar, për shkak të vështirësive për të prekur sektorin informal”-thuhet mes rreshtave në raport./scan tv

o.j/dita