Lufta e parë “civile”, në një komunitet majmunësh

17 Prill 2026
Një konflikt i pazakontë mes shimpanzeve ka tronditur komunitetin më të madh të njohur në Parkun Kombëtar Kibale në Ugandë. Studiuesit e lidhin këtë fenomen me ndryshime në strukturën sociale dhe e shohin si një dritare për të kuptuar origjinën e konflikteve edhe tek njerëzit.
Dokumentohet lufta e parë civile në një komunitet majmunësh. Kjo çështje është e para që ka çuar në ndarjen e komunitetit të shimpanzeve më të madh të njohur në botë. Ndarja në dy grupe rivale është një ngjarje mjaft e rrallë, që sipas studimeve gjenetike mund të verifikohet një herë në 500 vjet.
Konflikti, që është shenjuar edhe nga vrasja e individëve adultë, por edhe këlyshë të vegjël, është vrojtuar për 30 vjet në Parkun Kombëtar të Kibale në Ugandë. Komuniteti i shimpanzeve Ngogo ishte mjaft i qëndrueshëm për 20 vitet e para, ndërsa në 2015 nisën edhe sinjalet e para të polarizimit, ku grupi perëndimor dhe ai qendror nisën të evitoheshin gjithnjë e më shumë. Kjo gjë solli riorganizimin e hierarkisë së dominancës mashkullore tek primatët dhe u verifikua rreth një vit pas vdekjes së disa individëve adultë meshkuj, që mesa duket shërbenin si urë lidhëse në komunitet. Ndarja e plotë ndodhi në 2018, me dy grupe me territore të veçanta plotësisht, dhe deri në 2024, shumë meshkuj u vranë nga sulme respektive kundërshtare. Bie në sy se gjatë sulmeve viktimat ishin gjithnjë ish-pjesëtarë të grupit përkatës që kishin ndërruar pozicion.
Studimi është mjaft interesant dhe me rëndësi për të kuptuar biologjinë, mekanizmat dhe ofron një pikëvështrim tjetër për të kuptuar dinamikat e konflikteve mes njerëzve dhe grupeve humane. Studimi është publikuar në revistën prestigjioze Science dhe mban firmën e ekipit studimor të antropologjisë në Universitetin Austin në Texas.
