25 Dhjetor 2025

Bombarduesit strategjikë rusë, të aftë për transportimin e armëve bërthamore, kanë kryer një fluturim të planifikuar mbi ujërat neutrale të deteve Norvegjeze dhe Barents, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes e Rusia, sipas mediave shtetërore ruse

Sipas deklaratës zyrtare, avionët Tu-95MS realizuan misionin në hapësira ajrore ndërkombëtare në veri të Skandinavisë dhe në veriperëndim të Rusisë.

Gjatë disa segmenteve të fluturimit, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi u shoqëruan nga avionë luftarakë të vendeve të huaja, pa u bërë publik identiteti i shteteve që ndërmorën monitorimin ajror.

Autoritetet ruse nuk specifikuan datat e sakta të fluturimeve dhe as vendet që ngritën avionë përgjues, por theksuan se këto operacione zhvillohen rregullisht në rajone të ndryshme të botës dhe janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar të aviacionit.

Njoftimi vjen në një klimë të shtuar tensionesh ajrore.

Më herët gjatë këtij muaji, Koreja e Jugut dhe Japonia reaguan ndaj fluturimeve të avionëve ushtarakë rusë dhe kinezë pranë territoreve të tyre, duke ngritur në ajër avionë luftarakë për monitorim dhe parandalim.

Sipas Tokios, dy bombardues rusë Tu-95 fluturuan nga Deti i Japonisë për t’u bashkuar me dy bombardues kinezë H-6 në Detin e Kinës Lindore, përpara se të kryenin një fluturim të përbashkët rreth territorit japonez.

Këto lëvizje janë ndjekur me vëmendje nga vendet e rajonit, në sfondin e rritjes së aktiviteteve ushtarake në hapësirat ajrore ndërkombëtare.