Edi Rama

Nga Adrian Thano

​Ka dy “skena” që kur i vendos ballë për ballë shkaktojnë pështjellim. Janë cinike dhe përçmuese, tallje e hapur ndaj atyre që ende besojnë te vota.

Në skenën e parë, Kryeministri shfaqet i qeshur duke treguar se si njerëz nga Partia Demokratike e Shqipërisë po i bashkohen qeverisjes. Një ish-deputet i PD bëhet kryeinspektor, një drejtuese dege PD bëhet drejtore e madhe, një ish-drejtuese e forumit rinor të PD-së, e emëruar në një post publik. Madje sipas rrëfimit të Ramës, kjo e fundit paska ardhur dhe paska thënë diçka të tipit: “ku paskam qenë gjithë këtë kohë”. Tjetri deputet, djali i kreut të PD do drejtojë portin, delfini i Berishës bëhet ministër, etj

Mesazhi është i qartë. Politika duhet të jetë përtej logos, nuk ka rëndësi nga vjen dikush, majtas apo djathtas, rëndësi ka të bashkohet me “punën e mirë”, etj. Partitë relativizohen, kufijtë ideologjikë treten, madje kjo paraqitet si shenjë maturie politike.

Deri këtu gjithçka duket si një leksion tolerance.

Por ja skena e dytë. Në Durrës disa qytetarë kundërshtojnë një projekt të madh urban, të njohur si TID. Një debat i zakonshëm, qytetarë që shprehin shqetësim për pronën pastaj disa që afrohen dhe hedhin parulla kundër Kryeministrit.

Por reagimi që marrin nuk është ai që dëgjuam në skenën e parë. Në vend të përgjigjes, ata marrin një etiketë: “me ju s’merrem, ju jeni të PD” – u thotë Kryeministri.

Transformim i çuditshëm. Kur një individ nga PD i bashkohet pushtetit, partitë nuk kanë më rëndësi. Kur qytetari kundërshton pushtetin, partitë bëhen menjëherë identiteti i tij kryesor. Pra, kur pushtetit i leverdis, logoja zhduket, kur pushtetit i rrezikohet komoditeti, logoja bëhet damkë. Politika qenka përtej partive kur pushteti rekruton njerëz, ama çdo kundërshtim, është partiak kur pushteti përballet me protestën.

Ky është një instrument i ulët përçarës që i helmon marrëdhëniet mes njerëzve. Me kalimin e kohës sjell dorëzimin dhe pasivitetin, habitati ideal për çdo pushtet autoritar.

Por pjesa më problematike është ajo që ndodh ndërkohë që këto skena luhen në publik. Ndërsa qytetarët ndahen në kampe, ndërsa në ekrane dhe rrjete sociale hapen çdo ditë llogore të reja, “me ne” dhe “kundër nesh”, “PS” e “PD”, në një nivel tjetër politika shqiptare funksionon shumë më qetë.

Në këtë nivel, “lart”, ndodh gjithmonë e njëjta gjë, ndarja e hartës së parasë publike. Tenderë, projekte, koncesione, privilegje. Një ekonomi e tërë politike që nuk njeh aq shumë armiqësi sa duket në televizor. Mjafton të shikoni Rrjollin. Biznesmeni që ka mbështetur e mbështet direkt familjen non grata Berisha majmet me fonde publike të qeverisë Rama, leje e licensa, madje mbrohet me policinë e shtetit sikur ta ketë private. Ku është aty në Rrjoll “ti je PD”?

Këta “liderë” patetikë kanë nevojë për llogore të rreme, për ndasi të përhershme. Për një popull që grindet vazhdimisht mes vetes. Sa më shumë të zihen njerëzit për flamujt politikë, aq më pak kanë kohë të shohin dorën që u është futur në xhep.

Në fakt, mashtrimi më i madh i këtyre dekadave është ideja se në Shqipëri zhvillohet një luftë e madhe mes të majtës dhe të djathtës. Nuk ka një luftë të tillë. E kam thënë në këtë rubrikë dhe e përsëris: Lufta reale, ndoshta ende e padukshme për një pjesë të shoqërisë, është një tjetër. Ajo mes Sistemit të Interesit, që është gjithmonë i bashkuar, dhe Qytetarit të Inatosur, që mbahet me çdo kusht i përçarë.

Nga Gazeta Dita