
Lista e hapur e PS në Tiranë/ Beteja historike mes ministrave, deputetëve dhe veteranëve.
4 Maji 2025
.. Sondazhet deri më tani nuk i japin PS jo më shumë se 17 mandate.
Fushëbeteja e 11 majit ka një përqëndrim të lartë në kryeqytet, kjo për shkak jo vetëm të numrave të lartë të deputetëve dhe popullsisë, por dhe figurave që po luftojnë për 1 mandat deputeti në 4 vjeçarin e ardhshëm.
PS dhe PD kanë qëndisur si kostum me porosi një sistem të ri elektoral, ku lista ndahet në dy pjesë, në listën e mbyllur dhe atë të hapur ku votat janë personale.
Po çfarë ka zgjedhur Edi Rama të bëjë në Tiranë?
Partia Socialiste duket se ka futur të gjithë artilerinë e votave në listën e hapur, duke nisur nga emra ministrash, ish ministrash, deputetësh me shumë vota apo dhe veteranët e PS.
Votat personale të kandidatëve në listën e hapur bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2021 kalon numrin e 120 mijë votave, dhe mund të themi se 3 kandidatë të kësaj liste arrijnë së bashku afro 50 mijë vota.
Kjo në pamje të parë mund të jetë një strategji e mirëfilltë për rritur angazhimin e figurave specifike në fushatë.
Sondazhet deri më tani nuk i japin PS më shumë së 18 mandate, ose jo më shumë se 17 mandate, rënia e PS në sondazhe ishte dhe reflektim i zhvillimeve që ndodhën me kryebashkiakun Veliaj, që ndodhet në burg dhe po hetohet nga ana e SPAK për korrupsion.
Ky i fundit dhe pse aktiv në rrjetet sociale nuk ka asnjë postim ku kërkon votë për Edi Ramën apo ndonjë kandidat të Partisë Socialiste dhe pse në listat e hapura ndodhen disa besnikë të tij.
E siç duket në kulmin e problemit, Rama vendosi të përplasë në arenë të gjithë socialistët duke i lënë në listat e hapura.
Nëse PS merr 17 apo 18 mandate, nga listat e hapura do të futen vetëm 5 apo 6 emra.
Por emra e PS në fushëbetejë janë pothuajse 15-20 emra të lakuar, të cilët dhe që në zgjedhjet e vitit 2021 kanë marrë jo pak vota personale, ndër ta dhe më të votuarit në rang kombëtar si Fatmir Xhafaj me 16.738 vota, Ornaldo Rakipi me 15.697, Erion Braçe me 15.622, Etjen Xhafaj me 12.782 apo dhe veterani tjetër Pandeli Majko me rreth 8800 vota personale.
Në garë janë dhe disa emra nga kabineti aktual i Ramës, si ai Ervin Hoxhës që drejton Rendin Publik, Blendi Gonxhja apo dhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Në listë ndodhen dhe ish ministrat Olta Xhaçka, por dhe kushëriri i saj i parë Arben Pëllumbi.
Emrat vijojnë me Mimi Kodhelin, Blerina Gjylametin, Ermonela Felajn, Etilda Gjonin, Anila Denajn, Klotilda Bushkan, Toni Gogu, Xhemal Qefalia, Plarent Ndreca, Halit Valterin etj.
Në listat e PS ka dhe prurje nga LSI, ku vihet re emri i Endrit Braimllarit.
Po ashtu brenda 37 emrave ka dhe emra të tjerë por në fund të zgjedhjeve do të jenë vetëm pak dhe nga emrat e lartpërmendur që do të arrijnë të marrin mandatin.
Deputetët aktualë që kandidojnë në Tiranë dhe numri i votave në zgjedhjet e vitit 2021